Demokracia në Veprim: Incidentet e ditëve të fundit si pjesë e fushatës të papranueshme dhe të dënueshme

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” përmes një konference ka kërkuar nga partitë politike që të bëjnë një fushatë të qetë, kurse incidentet në Mitrovicë të Veriut dhe Skenderaj i ka quajtur të dënueshme dhe të papranueshme.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpalosur këto detaje në planin e DnV për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Po përmendim incidentet që kanë ndodhur së fundi me theks vizitën në pjesën veriore të vendit të u.d. presidentes Vjosa Osmani dhe kandidatit për Kryeministër nga LVV, Albin Kurti, si dhe vizitën në komunën e Skenderajt. Ne si DNV këto incidente i vlerësojmë si të pa pranueshme dhe të dënueshme sipas dispozitave ligjore. Ne kërkojmë që subjekteve pa marr parasysh etninë, t`u garantohet e drejta e lëvizjes në tërë territorin, edhe nga qytetarët kërkojmë që të respektohet ky proces”, ka thënë Cakolli.

Cakolli ka bërë thirrje që partitë po ashtu të reflektojnë edhe për shpenzimet që janë bërë qysh nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga ana e u.d. presidentes, Vjosa Osmani.

“Apelojmë që subjektet politike në raportet e tyre financiare për periudhën e fushatës të reflektojnë edhe për shpenzimet që janë bërë para fushatës e cila ‘de fakto’ ka filluar që nga shpallja e zgjedhjeve. Po ashtu Demokracia në Veprim kërkon që subjektet politike të deklarojnë edhe shpenzimet e bëra nga kandidatet e tyre dhe të njëjtat të jenë pjesë integrale e kufizimit për 0.50 cent shpenzim për secilin votues të regjistruar në Kosovë. Vetëm duke i bërë kuletat e tyre transparente për publikun, subjektet politike mund të demonstrojnë gatishmëri për të qeverisur me transparencë dhe integritet. Ne ri përsërisim kërkesën që fushata zgjedhore dhe këto zgjedhje të jetë e qetë dhe më frymë konfirmuese”, ka shtuar tutje Cakolli.

Në raportin e DnV theksohet edhe nevoja për shqiptim të gjobave ndaj partive që organizuan tubime, duke marr si shembull Komunën e Prishtinës

Kurse sa i përket votimit nga diaspora Cakolli tha se KQZ ka dështuar të mbyllë në kohë procesin e verifikimit të votueseve si dhe kritikoi PZAP-në që nuk obligoi partitë të vendosin një emër të gjinisë së kundërt në çdo tre rreshta në lista zgjedhore.

“Sa i përket çertifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike, PZAP dhe Gjykata Supreme është dashur është dashur që të obligojnë subjektet politike, që t`i ri rendisin kandidatët e mbetur nga ata që nuk janë certifikuar, që të ketë një kandidat të gjinisë së kundërt në çdo treshe të listës zgjedhore. Sa i përket votimit nga diaspora, KQZ ka dështuar që të mbyllë në kohë operacionin e regjistrimit dhe verifikimit të votuesëve përmes telefonatave; kjo edhe për shkak të fluksit të madh të votuesëve. Ne kërkojmë që të verifikohen të gjithë ata që kanë aplikuar brenda afateve të caktuara”, theksohet tutje në raportin e DnV.

DnV thonë se kanë filluar nga kjo javë edhe trajnimin e komisionerëve për të evituar mangësitë që kanë hasur në procese të kaluara zgjedhore.

Për fund, raporti shpalosi kritikën për mediat të cilat ata i kanë monitoruar nga data 13-27  janar.

Sipas raportit, janë monitoruar shtatë media nga ora 20:00-24:00, gjatë kësaj kohe, sipas raportit, janë zhvilluar 145 debate me 195 pjesëmarrës të partive politike, kurse nuk ka pasur asnjë përfaqësues të komunitetit serb.

Janë vërejtur edhe reklamime dhe sponsorizime të partive para fillimit të fushatës, gjë që është e ndaluar me ligjin për zgjedhje të përgjithshme.

DnV theksoi se monitorimi i mediave do vazhdojë edhe më tutje.