Demokracia në Veprim bën thirrje që qytetarët të dalin në votime

Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ (DnV) ka bërë thirrje për qytetarët që të dalin në votime dhe të votojnë saktë.

Ismet Kryeziu nga ky koalicion, ka thënë se është shumë e rëndësishme që njerëzit të votojnë saktë, sepse votat e tyre mund të bëhen të pavlefshme.

“Gjatë proceseve të kaluara zgjedhore kemi pasur vota të pavlefshme që janë një numër i jashtëzakonshëm, të cilat në mungesë të votimit të saktë mund të humbin të drejtën ose mund të ndikojnë në procesin si tërësi, por edhe qytetarët të cilët nuk votojnë në  mënyrë të saktë, vota e tyre nuk do të jetë zëri i tyre. Prandaj iu bëjmë thirrje qytetarëve që të votojnë në mënyrë të saktë”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu bëri të ditur se ‘Demokracia në Veprim’, ka bërë përgatitjet për ditën e zgjedhjeve.

“Ne nesër do të jemi prezent në të gjitha vendvotimet e Kosovës, do të jemi prezent me rreth 3 mijë vullnetarë, të cilët do të jenë të përfshirë në ekipe mobile, me ekipin e qendrës së thirrjeve, nga ku do të raportohet në baza periodike të zhvillimeve ditore, duke e përfshirë të gjithë procesin e votimit dhe të numërimit”, tha Kryeziu.

Ai bëri të ditur se DnV-ja ka planifikuar 5 konferenca për media, për të raportuar për procesin e votimit dhe numërimit, ndërsa tha se sipas nevojës do të mbahen edhe konferencat e tjera.