Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Demokracia në Veprim angazhon rreth 600 vëzhgues për zgjedhjet e 14 shkurtit

Koalicioni Demokracia në Veprim për ditën e zgjedhjeve do të ketë të angazhuar rreth 600 vëzhgues.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Eugen Cakolli, i cili tha se prej 600 vëzhguesve, 500 nga ta do të jenë vëzhgues të vendosur anë e mbanë Kosovës dhe mbi 100 vëzhgues të tjerë do të shërbejnë si ekipe mobile që do të jenë në asistencë të vëzhguesve nëpër vendvotime dhe për të ofruar çfarëdo lloj ndihme por edhe për të vëzhguar në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor jashtë qendrave të votimit.

“Përveç këtyre DnV do të ketë qendër të operatorëve ku do të merren gjitha informacionet mbi bazën e raportimeve qoftë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, parregullsive eventuale që mund të ndodhin dhe në fund edhe për rezultatet preliminare të subjekteve politike për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt”, tha ai.

Cakolli tha se DnV ka pas të angazhuar 16 vëzhgues afatgjatë që deri më tani kanë vëzhguar aktivitetet e fushatës kurse në ditën e zgjedhjeve të njëjtit do të jenë në misionin e vëzhguesve i cili do të jetë i shtrirë në tërë vendin.

“DnV është koalicion i shumë organizatave vendore. Në pjesën veriore të vendit DnV do të angazhoj dhjetëra vëzhgues pasi numri i saktë mbetet çështje konfidenciale për shkak se ndarja në vendvotime do të jetë në bazë të një mostre. Do të jenë rreth 50 vëzhgues që do t’i mbulojnë zonat e banuara me shumicë serbe”, tha Cakolli.