Demokracia botërore në rënie për të tetin vit me radhë

Viti i kaluar shënoi rënien më të madhe në besueshmërinë e zgjedhjeve dhe monitorimit parlamentar pothuajse në gjysmëshekullin e kaluar, nxitur prej shkeljeve qeveritare, ndërhyrjeve të jashtme, dezinformimit dhe keqpërdorimit të inteligjencës artificiale në fushata, ka vlerësuar të martën (17.09.2024) një organizatë për promovimin e demokracisë.

Agjencia e lajmeve AP raporton se Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale ose “International IDEA”, ka bërë të ditur se besueshmëria në zgjedhje po kërcënohet prej rënies së daljes së qytetarëve të zgjedhje dhe prej rezultateve që përherë e më shumë po kontestohen. Një në tri palë zgjedhje po kontestohet në një formë a tjetër, thuhet në raportin e IDEA-s.

Organizata me 35 qeveri anëtare ka bërë të ditur se përqindja mesatare e moshës së popullsisë votuese që faktikisht shprehin mendimin e tyre në kuti votimi ka rënë nga 65.2 për qind më 2008 në 55.5 për qind më 2023.

“Zgjedhjet mbeten mundësia e vetme më e mirë për t’i dhënë fund rrëshqitjes demokratike dhe përmbytjes së dallgës në favor të demokracisë”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i IDEA-s, Kevin Casas-Zamora. “Suksesi i demokracisë varet prej shumë gjërave, por faktikisht bëhet pothuajse e pamundshme nëse zgjedhjet dështojnë”.

Organizata me seli në Stokholm ka publikuar Raportin e saj global për gjendjen e demokracisë, që përmbledh përformancën demokratike në 158 shtete prej vitit 1975 deri më sot. Aty thuhet se 47 për qind e vendeve kanë përjetuar një rënie në treguesit kryesorë demokratikë gjatë pesë viteve të kaluara, duke e bërë vitin e kaluar të tetin me radhë me rrëshqitje botërore të demokracisë.

Botërisht, pothuajse në 20 për qind të zgjedhjeve ndërmjet viteve 2020 dhe 2024, njëri prej kandidatëve ose partive humbëse ka rezultatin, dhe zgjedhjet po vendosen në apele gjykatash në të njëjtën përqindje.

Raporti thotë se viti 2023 ishte më i keqi kur vjen puna të zgjedhjet e lira dhe të drejta, si dhe mbikëqyrja parlamentare.

Kishte kërcënime prej përzierjes së jashtme, dezinformata dhe përdorim të inteligjencës artificiale në fushata. Rëniet kanë goditur edhe demokracitë tradicionalisht të forta, por edhe qeveritë e brishta anembanë botës.

Në Afrikë, përformanca demokratike në përgjithësi ka mbetur e qëndrueshme gjatë pesë viteve të fundit, me rënie të dukshme në Sahel, veçanërisht në Burkina Fason të prekur nga grusht shteti. Burkina Faso bën pjesë në një listë në rritje me shtete me rënie demokracie të Afrikës Perëndimore. Në këtë vend ushtria ka marrë pushtetin, duke akuzuar të zgjedhurit, teksa  qeveritë që nuk i mbajnë premtimet e tyre. IDEA vuri në dukje se Burundi dhe Zambia kanë shënuar përmirësime të dukshme.

Sa i përket Azisë Perëndimore, mbi një e treta e vendeve përformuan dobët, ndërkohë që Evropa ka shënuar rënie të gjerë në aspektet demokratike, si sundimi i ligjit dhe liritë civile. Megjithatë, progres është raportuar veçanërisht në Mal të Zi dhe Letoni.

Studimi vuri në dukje se Amerikat kryesisht kanë ruajtur stabilitetin, por vende si Guatemala, Peruja dhe Uruguai kanë përjetuar rënie, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe liritë civile.

Shumica e vendeve në rajonin e Azi-Paqësorit kanë parë rënie të vogla ose stabilitet, me përmirësime të dukshme në Fixhi, Maldive dhe Tajlandë. Megjithatë, rëniet ishin të rëndësishme në Afganistan, ku talibanët nuk janë njohur nga asnjë vend si sundimtarë legjitimë që kur morën pushtetin në vitin 2021, dhe në Birmani, ku kundërshtimi ndaj kontrollit ushtarak është përkeqësuar në luftë civile.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com