Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

"Democracy plus" i kërkon Ministrisë së Arsimit anulimin e dy aktiviteteve të prokurimit

Organizata “Democracy Plus” (D+) i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit (MASHTI) dhe Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) në kuadër të MASHTI-t që të anulojë dy aktivitete të prokurimit për shërbime konsulente sepse, sipas saj, bien në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren nr. 002/2024 për prokurim publik.

“D+” ka bërë të ditur përmes një njoftimi se MASHTI në dhjetor 2024 ka iniciuar tender për angazhimin e një (1) kontraktori në Divizionin e burimeve njerëzore me vlerë të parashikuar 14,400 euro me kohëzgjatje 10 muaj. Ndërsa, AAAPARr, po ashtu në dhjetor 2024, ka iniciuar tender për angazhimin e tetë konsulentëve të jashtëm për nevoja të saj me vlerë të parashikuar 33,600 euro me kohëzgjatje 12 muaj.

Rregullorja e Prokurimit Publik, shton me tej ‘D +”, përcakton që angazhimi i konsulentëve bëhet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

“Vlen të ceket se institucionet janë duke rekrutuar staf të rregullt përmes procedurave të jashtme ashtu siç kërkon Ligji për zyrtarët publikë dhe kjo mund të vërtetohet përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ)”- thuhet në reagimin  e “Democracy Plus”.

Rregullorja për Prokurimin Publik përcakton që kontraktimi i konsulentëve duhet të bëhet për nevoja specifike që stafi ekzistues i institucionit nuk mund t’i mbulojë.

“Megjithatë, MAShTI dhe AAAPARr kanë zgjedhur të angazhojnë konsulentë për shërbime të përditshme administrative. Këto përfshijnë, ndër të tjera, këshilla për zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në MAShTI, si dhe zbatimin e programeve mësimore dhe metodologjive të reja në përputhje me standardet dhe ligjet për arsimin në AAAPARr”- thuhet më tej në reagim.

Po sipas, “D +”, MASHTI dhe AAAPARr duhet të anulojnë këto dy aktivitete të prokurimit dhe të nisin procedura të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe jo përmes legjislacionit të prokurimit publik.

“D +” thotë se shpenzimi i rreth 50,000 eurove në angazhimin e nëntë personave për një periudhë 10 dhe 12-mujore është keqmenaxhim i parasë publike dhe nuk ofron qëndrueshmëri në angazhim të personelit për kryerjen e punëve në Ministri dhe Agjenci.