Democracy Plus diskuton për ‘Qytetarinë aktive dhe Komunat përgjegjëse në Kosovë’

Organizata joqeveritare ‘Democracy Plus’ ka mbajtur konferencë në të cilën u diskutua për ‘Qytetarinë aktive dhe komunat përgjegjëse në Kosovë’.

Pjesëtarë të këtij paneli ishin përfaqësues të tre komunave që merren me qytetarinë aktive dhe këshillat qytetare, me fokus të veçantë në komuna të vogla dhe fshatra.

Në panel të diskutimit ishin: Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husaj, nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi, Ivan Todoroviq, drejtor i rrjetit për aktivizëm qytetar në Graçanicë, dhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Ec ma ndryshe”, Valon Xhabali.

Sipas Dëbora Pecit nga D-Plus fokusi i tyre ka qenë që të rrisin qytetarinë aktive, ku kanë intervistuar 32 komuna për sfidat e tyre, sidomos këtë vit si shkak i situatës me pandeminë. D-Plus ka mbajtur edhe takime me qytetarë në fshatra të Vushtrrisë, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

Islam Husaj nga Kuvendi Komunal i Pejës tha se kanë bashkëpunim shumë të mirë më OJQ-të, dhe se shumë shërbime nuk mund t’i kryejnë pa ndihmën e këyre organizatave.

Ai tha se Peja ka rreth 30 këshilla lokal të cilët kanë lidhje të vazhdueshme me Komunën.

“Kemi bashkëpunim shumë të mirë më OJQ-të, kryesisht me “Syri i vizionit”, ne jemi të vetëdijshëm se shumë nevoja të qytetarëve si komunë nuk mund t’i kryejmë pa ndihmën e shoqërisë civile. Këshilllat e fshatrave në Komunën e Pejës për herë të parë janë themeluar në vitin 2015. “Syri Vizion” na ka ndihmuar shumë në  procesin e mbajtjes së zgjedhjeve”, tha ai.

Ky këshill lokal është një mekanizëm i shkëlqyeshëm për lidhjen e pushtetit me qytetarin, gjë që e ka ndihmuar edhe ekzekutivin në realizim të projekteve. Mandati i këshillit të parë ka qenë tre vjeçar, i cili ka funksionuar por me probleme. Ne kemi diku rreth 80 fshatra dhe 40 lagje të qytetit, nga gjithë këto i kemi zgjedhur 30 këshilla lokal. Kryesuesit e këtyre këshillave kanë lidhje të vazhduëeshme me komunën, janë të obliguar që në vazhdimësi të mbajnë takime me qytetarë, e kanë obligm ligjor që t’i mbajnë 6 takime brenda vitit”, shtoi tuje Husaj.

Husaj theksoi se kërkesat që dalin nga këshilli i fshatrave përcillen te ekzekutivi i komunës, ai tutje tha se nëse këto këshille politizohen janë të prira për të dështuar.

“Kërkesat që nxirren nga këto këshilla përcillen tek ekzekutivi. Gjatë këtij viti me pandeminë këta këshilla kanë kryer punën më të madhe në identifikimin e nevojave të qytetarëve. Këta këshilla kanë po ashtu për detyrë të identifikojnë familjet që janë në nevojë. Këtë vit kemi pasur edhe një fatkeqësi natyrore ku erërat e mëdha kanë shkaktuar dëme, këta këshilla i kanë mbledhur të gjitha të dhënat nga dëmet në teren. Pjesëmarrja e  tyre është edhe kur bëhet planifikimi i buxhetit, mbi 85 për qind e kërkesave të qytetarëve kanë hyrë në buxhet”, tha ai.

“Një problem që e kemi është sigurimi i një pagese për këta kryetar këshillash për punët që kryejnë, por në kuvend kemi marr vendim që tu ndajmë 50 euro për çdo takim, pra nga 6 takime marrin 300 euro në vit. Këta këshilla lokal nuk duhet të jenë politikë sepse dështojnë”, tha për fund Husaj.

Besim Muzaqi, nënkryetar i Komunës së Vushtrrisë, tha se aktivizimi qytetar për ta paraqet syrin e ekzekutivit, sipas tij Vushtrria ka 48 këshille të fshatrave, si dhe bashkëpunim me shumë shoqata.

Ai tutje shtoi se këto këshille nuk i shohin si kundërshtare të qeverisjes komunale.

“Ne kemi promovuar dhe nxitur aktivizimin qytetar, këto këshilla për neve janë syri i ekzekutivit, kërkesat e qytetarëve i përcjellim gjithmonë përmes tyre. Aktivizimi qytetar në Vushtrri është i organizuar, janë gjithsej 48 këshilla të fshatrave, këta janë zgjedhur në qeverisjen e kaluar, kurse këtë vit nuk kemi mundur të bëjmë rizgjedhje për shkak të pandemisë. Kemi bashkëpunim edhe me shoqatat e dala nga lufta në shumë projekte”, tha ai.

“Ne kritikat nga shoqëria civile nuk i marrim kurrë si kundërshtim, por si këshillë për të funksionuar më mirë. Bashkëpunimi më i madh ka qenë gjatë këtij viti si shkak i situatës shëndetësore. Sepse Vushtrria në fillim ka qenë e goditur me shumë raste”, shtoi tutje Muzaqi.

Valon Xhabali nga OJQ “Ec ma ndryshe” tha se vetëm me anë të kërkesave nga ana e këtyre këshilleve rritet presioni tek institucionet.

Ai tha se punojnë më shumë me të rinjë për shkak se përmes tyre e shohin ndryshimin.

“Numri i koalicioneve të organizatave për fat mirë po rritet sepse e kemi parë që kërkesat po arrihen vetëm me anë të presionit karshi institucioneve. Ajo që dua të potencoj është se qytetaria aktive ka hapësirë për përmirësim, sidomos në komuna të vogla, sepse shumë institutcione këtë përfshirje të qytetarëve e shohin si pengesë në realizim të planeve që shpesh rezultojnë jo të qëndruseshme. Ne jemi udhë lidhëse mes qytetarit dhe institucionit, sepse kur qytetari është i përfshirë në hartim projektesh, në buxhet, rezultojnë më të qëndrueshme, kjo sepse plotësohen nevojat e komunitetit. Kjo punë është po ashtu sfidë e madhe. Ne punojmë me të rinjë sepse mendojmë që nëse diçka do ndryshojë në të ardhmen është mes tyre, kjo nga shkollat fillore e tutje”, tha ai.

Tutje Xhabali shoti se kërkesat e banorëve shpesh janë të njëjta por ndryshojnë nga prioritetet që ata i radhisin.

“Takimet nëpër lagje që i mbajmë, ka pasur raste kur nga një familje janë deri pesë kërkesa të njëjta por me prioritet të ndryshëm, kjo sepse gratë që janë pak të përfshira, kërkesë kryesore e kanë ujësjellësin dhe ndriçimin publik, burri, rregullimin e rrugës, fëmijët, hapësirë të lodrave, kurse i moshuari, hapësirë për gjelbërim. Me këto ne vëmë në dukje që të mos hartohen projekte pa dëgjuar qytetarët”, shtoi tutje Xhabali.