Demiri: Pas takimit të dytë me Kurtin, do të saktësojmë veprimin tonë të mëtejmë

Rasim Demiri nga VAKAT, në adresimin për media pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin dhe U.D. e Presidentes Vjosa Osmani, tha se ende nuk e dinë saktë nëse do të votojnë krijimin e qeverisë e as nëse do ta përkrahin Osmanin për presidente. Kjo pasi, në takimin e sotëm, tha të mos kenë biseduar për këtë çështje. Gjithçka sipas tij, do të vendoset ditëve të ardhshme, pasi ta kenë zhvilluar edhe një takim me pretendentin për kryeministër Albin Kurtin nga LVV.

“Ne si koalicion VAKAT kemi lënë edhe një takim me Kurtin. Nuk kemi folur për vota, por për programin. Për hapa tjerë për votimin, ne do të marrim vendim brenda koalicionit pastaj do të vendosim. E kemi edhe një takim me kryeministrin dhe për një ose dy ditë do ta dimë se çka do të veprojmë”, tha ai.

Demiri, tha se në takimin e sotëm, bashkë me Kurtin e Osmanin, kanë biseduar për shumë tema me interes për komunitetin boshnjak.

“VAKAT gjithë ka qenë për formimin e institucioneve, 20 vjet i kemi mbështetë. Besoj edhe tash do të bëjmë njëjtë pa marr parasysh që nuk kemi biseduar për pozita”, ka paralajmëruar Demiri.

Brenda javës së ardhshme, Demiri tha se presin që të bëhen tri votime, konstituimi i Kuvendit votimi i qeverise dhe votimi i presidentit.