Demi: Ministrinë e Arsimit do ta drejtojë partia që e përjashtoi Kosovën nga ENQA

Analisti Agron Demi ka komentuar arritjen e marrëveshjes mes LDK dhe AAK-së për bashkëqeverisje.

Demi në një postim në Facebook ka kritikuar propozimet e AAK-së për ministra, sidomos atë të Ministrisë së Arsimit dhe të Punëve të Jashtme.

“Partia që e përjashtoi Kosovën nga Rrjeti Evropian i Sigurimit të Cilësisë, do të udhëheq me Ministrinë e Arsimit. Edhe atë do ta udhëheq një ministër i cili sipas ORCA-s është avancu me plagjiaturë. E dënuara me tetë muaj burg me kusht për deklarim të rremë të pasurisë paska me udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë Demi.

Sipas tij, ky është veç fillimi ngase ende nuk janë bërë publike marrëveshjet me partitë tjera.

“Kadal kadal po i kthehemi normalitetit 20 vjeçarë. Këto ditë dëshmuan se tjetër gjë është me rrëzu pushtetin përmes zgjedhjeve, e krejt tjetër është me ndërru sistemin. E sistemi nuk është vetëm partia, por janë edhe institucionet e kapura, gjykatat, mediumi publik e portalet fantome që marrin qindra mijëra euro financim nga paraja publike”, ka thënë Agron Demi nga Instituti GAP.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot bëri të ditur se kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Sipas marrëveshjes, AAK-ja pritet t’i ketë nën udhëheqje katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë.

“Zëvendëskryeministri i parë do të jetë z. Besnik Tahiri, pastaj, ministre e jashtme do të jetë zonja, Meliza Haradinaj- Stublla. Ajo nuk është e familjes sime, njëkohësisht për ministër të Drejtësisë do të jetë z. Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik do të jetë Blerim Kuqi dhe ministër i Arsimit do të jetë profesor,  Ramë Lika”, tha tutje Ramush Haradinaj.

Ndërsa, LDK po ashtu njoftoi se ka arritur marrëveshje edhe me Listën Serbe për bashkëqeverisje.

Ditë me parë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur pro koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave.

Kjo iniciativë për formimin e Qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars.

LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.