Agron Demi (djathtas)- Foto: GAP

Demi: Institucionet neglizhente me thirrjet dhe testet për COVID-19

Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi ka thënë se instucionet e vendit janë treguar neglizhente në adresimin e qytetarëve kundrejt situatës me COVID-19.

Demi ka bërë të ditur se është vetëizoluar për pesë ditë pasi ka pasur kontakt me dikë i cili kishte kontakt me një të infektuar me coronavirus.

“Për shkak se javën e kaluar kisha kontakt me dikend i cili kishte kontakt me një të infektuar me Covid-19, u vetëizolova për pesë ditë, përderisa personat me të cilët kisha kontakt kryen testet. Fatmirësisht testet dolën negative”, ka shkruar ai në Facebook.

Por gjatë kësaj pritje, sipas tij, përvojat e atyre që bënë testet ishin goxha shqetësuese me “institucionet neglizhente”.

“Në numrat emergjent të IKShP të vendosur për kontakt me qytetarët, nuk lajmërohet askush me orë e ditë të tëra; procedura e testimit është aq kaotike, ku qindra qytetarë testohen me dorëzat e njejta e në radhë të ngjeshura e me aso neglizhence ku qytetarët dalin më të rrezikuar se sa para se të testohen; rezultatet marrin deri në 48 orë”, ka shkruar mes tjerash ai.

Sipas Demit, askush nuk është i sigurtë nëse rezultati që i’u është komunikuar është i saktë ose jo.

“Këtë e dëshmon edhe rasti i drejtoreshës së Klinikës Endokrinologjike e cila brenda dy dite mori dy rezultate të ndryshme, njëherë pozitiv e pastaj negativ. E qytetarët nuk e kanë asnjë mundësi që të ri-testohen, ashtu siç e kishte këtë mundësi drejtoresha e klinikës”, ka shkruar tutje ai.

“E dhimbshme kur qytetarët nuk mund t’i besojnë institucioneve për një test të thjeshtë, e nuk arrijnë me marr përgjigje për shqetësimet e tyre”, ka shkruar analisti në Facebook.