Dëmi 4 milionësh buxhetit të shtetit, burgim ndaj Rikallos e Kapllanit

Nenad Rikallo, ish-ministri i bujqësisë është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rikallo është dënuar me 3 vite burgim. I akuzuari tjetër Kapllan Halimi, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim. Të akuzuarit tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, janë liruar nga aktakuza.

Mbi ta rëndonin akuza se në cilësi të zyrtarëve të Ministrisë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë 4 milionë euro.

Trupi gjykues me në krye Mentor Bajraktarin, Suzana Qerkinin dhe Violeta Namanin në aktgjykimin dënues bën të ditur se Rikallos dhe Kapllanit iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike për tri vite.

Të akuzuarit, Nenad Rikallo, Kapllan Halimi të dënuar sot nga Gjykata dhe Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri të liruar nga akuza,  dyshoheshin se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, e cila në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikallo, në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikallo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK