Kandidati i AAK-së Arton Demhasaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Demhasaj (AAK): Do ta rikthejmë projektin amerikan të gazit

Kandidati për Deputet nga Koalicioni AAK-Nisma, Arton Demhasaj, në emisionin “Debat Përnime”, ka prezantuar disa prej projekteve që Koalicioni i tyre parasheh t’i realizojë – nëse vjen në pushtet pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai ka paralajmëruar se nën qeverisjen e tyre do të rikthehet projekti amerikan për gazin.

“Automatikisht kemi me u rikthy te çështja e gazit me partnerin tonë strategjik, politik, ekonomik e çfarëdo tjetër, që është SHBA-ja, për me rikthye projektin e gazit në Kosovë.” – ka thënë Demhasaj.

Për mënyrën se si do të funksionojë ky projekt, sipas tij, janë paraparë dy ide.

“E para është ndërtimi i një Termocentrali me gaz, që po ashtu mund të prodhojë deri në 500 MW energji elektrike dhe ideja tjetër është ose të shkohet në shpërndarjen e gazit nëpër ekonomitë familjare, ose ideja tjetër është që të ndërtohen pesë Ngrohtore në pesë Qendrat e mëdha, që janë: Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica dhe Peja, që e përgjysmon pothuajse nevojën e konsumit të energjisë elektrike.” – ka thënë Demhasaj.

Zhvillimi i një projekti të tillë, sipas tij, do të ndihmojë edhe në uljen e konsumit të energjisë elektrike.

Gjersa u fol për çështjen e energjisë elektrike, nuk munguan as kritikat për qasjen e Qeverisë aktuale në këtë sektor.

Derisa u pajtua me atë se Qeveria nuk mund të ketë ndikim direkt në uljen e çmimit të energjisë elektrike, Demhasaj përmendi rekomandimin e Lëvizjes Vetëvendosje për bllok tarifën e 800 MW, që më pas edhe u përcaktua nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Demhasaj pretendon se komplet ZRRE-ja është e kapur nga Vetëvendosja, ndërkaq, AAK-NISMA zotohen se me ardhjen e tyre, ky Rregullator do të jetë institucion i pavarur.

“Ne kemi tendenca që ZRRE-ja me qenë një institucion i pavarur dhe i pandikuar prej politikës. Kur ZRRE-ja ka me qenë e pavarur dhe e pandikuar politikisht, unë garantoj që vetë ZRRE-ja ka me u ul me i analizu çmimet dhe ka me i ul çmimet.” – ka theksuar Demhasaj.

Një premtim lidhur me uljen e faturave të energjisë elektrike u dha për kategoritë e ndjeshme, siç i quajti Demhasaj, veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe familjet me asistencë sociale

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e Koalicionit AAK-Nisma: Termocentral me thëngjill, rritje pagash e funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës