Dëmet nga vërshimet në komunën e Rahovecit, MAP 'mbulon' me 151 mijë euro

151 mijë euro janë ndarë gjatë ditës së sotme nga Ministria e Administratës Publike për Komunën e Rahovecit, për dëmet të cilat janë shkaktuar nga reshjet e fundit në këtë komunë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një postimi llogarinë e tij në rrjetin social në Facebook.

“Ashtu siç edhe jeni të njoftuar, komuna e Rahovecit, gjatë muajit janar si pasojë e përmbytjeve nga ujërat, ka pësuar dëme të mëdha, në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike. Pas vlerësimit të dëmeve në amvisëri, ju njoftojmë se MAP – i, ka ndarë 151 mijë euro për Komunën e Rahovecit, që i bie 28% të mbulimit të vlerës për të gjithë të dëmtuarit në amvisëri”, ka shkruar Latifi.

Ai tutje ka shkruar se nga java e ardhshme do të fillojnë me kompletimin e dokumentacioneve dhe ndarjen e mjeteve për çdo familje.

“Nuk do të ndalemi së vepruari për të ndarë mjete të tjera shtesë nga Qeveria e Kosovës e të bëhet kompensimi i të gjithë̈ të dëmtuarve. Po ashtu, ju njoftojmë̈ se jemi në pritje edhe për kompensimin edhe të dëmeve në bujqësi, biznese dhe në infrastrukturë publike”, ka shkruar Latifi.

KALLXO.com, raportuar për vërshimet në Komunën e Rahovecit, në fillim të muajit janar.

(FOTO) Vërshime edhe në Rahovec