
Demantohet lajmi i shpërndarë në disa media se Prokuroria ka dhënë urdhër që të bllokohet KQZ
Disa media vendore kanë raportuar se Prokuroria ka dhënë urdhër që të mos preket asgjë në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas këtyre mediave, kjo madje është bërë me vendim të Prokurorisë.
Këtë pretendim e kanë demantuar Prokuroria e Prishtinës – duke thënë që nuk është e vërtetë një gjë e tillë.
Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka thënë se nuk është vërtetë ajo se çka po flitet në disa media. Madje, ai konfirmoi se nuk kanë dhënë asnjë urdhër të tillë për Policinë.
“Nuk ka të vërtetë në atë se çka po raportohet në media. Ne s’kemi dhënë kurrfarë urdhri për këtë punë që po raportohet.” – ka thënë për KALLXo.com, Zejnullahu Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë së Prishtinës.
Tutje, nga Zyra e Prokurorit të Shtetit kanë konfirmuar se nuk është dhënë asnjë urdhër që të bllokohet KQZ dhe të mos preket asgjë.
“Ne nuk kemi dhënë asnjë urdhër tash edhe në kontakt me Policinë. Edhe Policia nuk kanë dhënë asnjë urdhër për momentin, për me fillu diçka me KQZ. Prokuroria Speciale nuk ka fillu kurrfarë hetimi ndaj KQZ-së. Edhe Policia e Kosovës nuk ka fillu kurrfarë hetimi, as nuk është blloku puna. Nuk është e vërtetë.” – thanë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Prokuroria Speciale përmes zëdhënëses së saj, Liridona Kozmaqi ka konfirmuar se nuk ka asnjë urdhër për nisje të hetimeve kundër KQZ-së.
“Ju informoj se Prokurori i Shtetit, duke e përfshirë edhe Prokurorinë Speciale, nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër KQZ-së.” – tha Liridona Kozmaqi për KALLXO.com.
Tutje, një konfirmim se nuk është e vërtetë ajo se çka kanë raportuar mediat, e ka konfirmuar edhe Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës, siç pretendohet, nuk ka bllokuar KQZ-në, e asnjë institucion. Lidhur me këtë Policia nuk ka asnjë urdhëresë nga organet e Drejtësisë.” – ka thënë Kelani.
Kosova, më 09.02.2025, ka mbajtur Zgjedhjet nacionale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë dalë me rezultatet preliminare duke listuar partitë me numrin më të madh të votave.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin për nga numri i votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), me 41.99% të votave.
Partia e dytë me më së shumti vota deri më tani është renditur: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.68%, partia e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.90%, partia e katërt AAK-Nisma me 7.56%, Lista Serbe me 7.56%, Koalicioni për Familje me 2.29%.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), ka njoftuar se për shkak të dështimit të Sistemit, së bashku me stafin, do të punojnë gjithë natën për të futur të dhënat manualisht në Sistem.
“Stafi i KQZ-së dhe ne anëtarët e KQZ-së do të jemi gjithë natën në objekt dhe do të punohet që të gjitha të dhënat nga Formularët nga vendvotimet të futen manualisht në Sistem.” – tha ai në Konferencë për media.
Radoniqi tha se nuk do të kenë publikim periodik dhe nuk kanë informacion se pse ka ndodhur një dështim i tillë në Sistem.
KQZ do të procesojë manualisht të dhënat nga formularët, nuk ka publikim periodik