Demantohet lajmi i publikuar në disa media se '15 persona me coronavirus rezultuan negativ'

Lajmi i cili është publikuar nëpër disa media se 15 persona kanë rezultuar negativ me coronavirus në Kosovë, nuk është i vërtetë.

Media online “Lajmi.net” ka publikuar rreth një orë më parë një artikull me titullin “15 persona rezultojnë negativ me coronavirus, 5 të tjerë në pritje të rezultateve në QKUK”, duke e cituar kështu drejtorin e departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ky lajm më pas u shpërnda edhe nga agjencia e lajmeve “EkonomiaOnline” me titull “Dalin rezultatet e 15 personave të dyshuar me Coronavirus, 5 të tjera në pritje”.

Por, Faik Hoti në një bisedë për KALLXO.com e ka demantuar këtë lajm. Hoti e ka quajtur të pavërtetë faktin se 15 persona kanë rezultuar negativ.

Ai ka bërë të ditur se 24 pacientë me coronavirus janë duke u trajtuar në QKUK, e që prej tyre 6 janë në gjendje më të rënduar shëndetësore.

Këtë njoftim e ka publikuar edhe në rrjetin social “Facebook”.

“Sipas të dhënave nga Klinika Infektive aty sot ka pasur të hospitalizuar 24 pacientë me Covid-19; 18 të sëmurë janë në gjendje stabile; 6 të tjera kanë pasur gjendje më të rënduar shëndetësore dhe janë me oksigjenoterapi”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, pesë pacientë të tjerë janë të dyshuar në Covid-19 dhe në pritje të rezultateve të RT-PCR nga IKSHPK.

Nga 13 marsi deri më tani numri i të prekurve me coronavirus është 61.

Vetëm dje janë konfirmuar 26 raste me coronavirus në Kosovë.

 

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).