Deliu reagon ndaj vizitës së raportueses për Kosovën në Gjykatën Speciale

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në seancën e sotme të Kuvendit tha se shpreh brengën e saj për “vizitën e pazakontë” të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon në Gjykatën Speciale, vetëm një ditë pas intervistimit të presidentit Hashim Thaci.

Sipas deputetes, vizita dhe deklarimi i Von Cramon është ndërhyrje në këtë gjykatë.

“Një veprim si ky nuk do të duhej që asnjëherë t’i takojë asnjë zyrtari evropian i cili është i ngarkuar me përgjegjësi politike. Veprime të tilla bien ndesh me frazën e njohur të BE-së që drejtësia duhet të jetë e pavarur nga politika”, tha ajo.

Edhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj kishte reaguar ndaj vizitës së Viola Von Cramon, raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, në Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar të Prokurorisë në Hagë.

Hoxhaj përmes një postimi në Twitter ka thënë se ajo çka ka bërë Von-Cramon është ndërhyrje politike.

Kurse, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon si reagim ishte shprehur se askush nuk do ndërhynte në dhomat e specializuara, duke shtuar se ndoshta kjo është diçka e zakontë në Kosovë.