Deliu: Prezantimi i kryediplomates Gërvalla për keqardhje dhe në linjë me përfaqësuesin e Serbisë dhe Rusisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e qeverisë, për siç ka thënë ajo ‘mohimin e historisë së Kosovës’.

“Ditëve të fundit, si asnjëherë më parë, kemi parë një tendencë të hapur të pushtetit, nga presidentja, kryeministri e ministrat, për të mohuar historinë më të re të Kosovës, trashëgiminë politike, luftën çlirimtare dhe vlerat tona kombëtare”, tha ajo në një konferencë për media.

Deliu tha që presidentja Osmani nuk është figurë unifikuese.

“As nuk e njeh UÇK-në, sakrificën e ushtarëve dhe luftën e popullit për liri dhe pavarësi. Znj. Osmani fton të gjithë presidentët e Kosovës në një takim, por nuk e përmend emrin e presidentit Hashim Thaçi as për kurtoazi”, shtoi ajo.

Deputetja e PDK-së e quajti për keqardhje prezantimin e kryediplomates Donika Gërvalla në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Sot, ne e kemi një kryediplomate si Donika Gërvalla-Schwarz , e cila për keqardhje, dje ishte në një linjë me përfaqësuesin rus dhe serb, kur foli për Kosovën e pushtuar nga krimi dhe korrupsioni”, tha ajo.

Sipas saj, në vend se të flas ‘terr e zi’ për Kosovën, ministrja Gërvalla dje është dashur të flas për UNMIK-un, Luginën e Preshevës, gjuhen e zyrtarëve serb, rolin destruktiv të shtetit serb.

“Në vend që Ministrja e Jashtme të kundërshtoj përfshirjen e raportit të Gjykatës Speciale në raportin e UNMIK-ut, kjo qeveri ka zgjedhur heshtjen, që i bie – miratimin. Një gjykatë e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i raporton një Institucioni që nuk njeh Kosovën si shtet. Ministrja jonë ka zgjedhur heshtjen”, tha ajo.

Sipas Deliut pushteti i udhëhequr nga Vetëvendosje, mendon që gjithçka në Kosovë fillon me ta.

“Ka hequr dorë nga politika e jashtme e Kosovës, e ka suspenduar atë, duke e shndërruar në politikë të brendshme dhe në mekanizëm të thashethemeve. Ky pushtet është larguar nga politika e jashtme e koordinuar me miqtë tonë perëndimor dhe është përafruar me narracionin e Rusisë dhe Serbisë”, tha ajo.

Sipas saj në prezantimet e tyre, qeveria Kurti është duke e portretizuar negativisht vendin.

“Imazhi që këta qeveritarë, këta mohues të shtetit tonë janë duke portretizuar nëpër botë për vendin, është një Kosovë pa histori, pa shpalljen e pavarësisë, pa Kosovën e njohur nga 117 shtete, pa Kosovën e anëtarësuar në mbi 60 organizata ndërkombëtare, pa UÇK, pa luftën tonë çlirimtare, pa sakrifica, pa suksese dhe pa vlera shtetërore”, shtoi ajo.

Sipas deputetes, Blerta Deliu, pushteti nuk duhet ta mohoj punën e PDK-së për shtet ndërtimin në Kosovë.

“Nëse ata përpiqen t’i mohojnë të arriturat e PDK-së në shtetndërtimin e Kosovës, të paktën të mos sillen naiv duke mohuar meritat e qytetarëve, miqve ndërkombëtarë dhe përqafojnë pa vetëdije narracionin serb dhe rus në marrëdhëniet ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Dje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Qeveria e re e Kosovës është e përkushtuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Ne jemi të hapur, jemi krenarë dhe nuk frikësohemi nga askush dhe nga asgjë”, shtoi ajo.

Gërvalla ka thënë se edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, është e mbijetuar e luftës së fundit në Kosovë, nga një masakër që u krye nga forcat serbe, dhe në të cilën ia vranë asaj familjarët.

“Serbia duhet ta pranojë që duhet të paguajë çmimin për mizoritë e saj vrasëse. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, të lirohet nga rrënjët e saj gjenocidale dhe duhet të përpiqet të bëhet një vend evropian me të vërtetë i civilizuar”, shtoi ministrja kosovare.

Seanca e Këshillit të Sigurimit, ministrja Gërvalla ia përmend Serbisë krimet e kryera në Kosovë