Deliu - Kodra: Të parët që përfituan nga vaksinat janë Kurti dhe pjesëtar të LVV-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka thënë se me pranimin e vaksinave nga programi Covax, të parët që kanë përfituar nga ato vaksina ishin kryeministri dhe pjesëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq sipas Deliut, nga ato që mbetën, nisi vaksinimi për të moshuarit mbi 80 vjeç.

“E tëra që duhej të bënin pleqtë të hapnin kompjuterin, të plotësonin formularin dhe të prisnin thirrje nga Ministria e Shëndetësisë në telefonat e tyre privat për caktim të terminit, të merrnin veturën dhe të shkonin në qendrën e vaksinimit. Të gjitha këto, kjo qeveri priste të bëhen nga gjyshërit e gjyshet në moshë të shtyrë”, tha Deliu Kodra.

Ajo tha se metodologjia për të bërë përzgjedhësit e përfituesve të vaksinave, ishte skandaloze dhe tërësisht e padrejtë.

“Nuk siguroi vaksina për 170 mijë pensionistë si kategoria më e rrezikuar nga virusi. Shumë prej tyre s’mund të përballojnë shërbimet bazike. Si prisni ju që këta të moshuar që hyjnë në njërën nga kjo kategori të aplikojnë në serverin tuaj”, shtoi Deliu Kodra.

Ajo ka kërkuar të dijë se ku janë ekipet ekipet mobile dhe ka kërkuar të sigurohet furnizimi me barna esenciale.