Blerta Deliu-Kodra në seanncën e Kuvendit, 27 janar 2022

Deliu-Kodra kritikon presidenten Osmani: Ka kohë që nuk është deklaruar për zhvillimet e fundit në vend

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani  duke thënë se ka një kohë që kjo e fundit nuk është deklaruar për zhvillimet në Kosovë.

“Ka kohë të gjatë  që zonja Osmani nuk është deklaruar lidhur me gjendjen në të cilën janë qytetarët e Republikës së Kosovës, me dëmtimin e shëndetit publik, me masat e rënda shpeshherë të papërballueshme, me çmime të cilat janë tejet të larta e  po shtrenjtohen çdo ditë, me paralajmërimet e rënda për rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Deliu Kodra.

Deliu Kodra i ka bërë thirrje presidentes Osmani që të deklarohet për zhvillimet e fundit, njëjtë siç ka folur për zhvillimet në Ukrainë dhe Rusi, duke shtuar se qytetarët kanë nevojë ta dëgjojnë edhe zërin e të parës së shtetit.

“Sot dua të bëj thirrje nga ky parlament që të deklarohet edhe për zhvillimet e fundit ashtu siç ka folur me të drejtë për zhvillimet në Ukrainë edhe për zhvillimet në Rusi. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë nevojë që të dëgjojnë edhe zërin e të parës së shtetit sepse vërtetë janë në një situatë të rëndë e presin që edhe ajo të deklarohet e të mos heshtë tash e një kohë të gjatë”, tha ndër të tjera Deliu Kodra.

Tutje, ajo ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, që të vizitojë edhe komunat e tjera pasi gjendja me COVID-19, sipas saj, është shumë më e vështirë se në Prishtinë.

“Dua të shoh një ministër që sot do të del edhe nëpër komuna tjera jo vetëm për të vizituar personelin shëndetësor por, edhe hallet që njerëzit që i kanë atje”, ka shtuar deputetja e PDK-së.