Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deliu-Kodra: Komisioneri për informim dhe privatësi nuk është votuar pasi kanë munguar shumë deputetë

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se arsyeja përse nuk është votuar komisioneri për mbrojtje të dhënave ka qenë mungesa e deputetëve në seancë.

“Ka pasur vullnet të deputetëve për votim, një prej aryseve ka qenë rrethana me COVID-19, kjo pikë për komisionerin ka qenë e fundit në rend të ditës dhe nuk ka pasur vëmendjen e duhur si dhe ka munguar Lista Srpska. Gjatë ditës kemi diskutuar për ligjin për mbrojtje të vlerave të UÇK-së, ku është braktisur nga lista srpska dhe qysh në fillim kemi pasur mungesë të deputetëve, disa kanë qenë të infektuar dhe disa kanë qenë në pushim”, ka thënë Deliu-Kodra.

Tutje deputeja ka shtuar se ky votim ka më shumë se vite që po zvarritet pasi kërkon vota sa zgjedhja e Presidentit.

“Për këtë zgjedhje të komisionerit kuvendi është duke u përballur për më shumë se dy vite, sigurimi i 61 votave në kuvend është kategori me të cilën zgjidhet Presidenti dhe kjo nuk është e lehtë as për avokatin e popullit dhe as për komisionerin për informim dhe privatësi,” ka shtuar tutje Deliu-Kodra.

Të dhënat personale dhe e drejta e qasjes në informata publike mbetet, në masë të madhe, e pambrojtur në Kosovë pas dështimit të sërishëm nga ana e Kuvendit që ta përzgjedhë një Komisioner për Agjencinë për Informim dhe Privatësi, AIP.