Deliu Kodra, deklarohet për tarifat e energjisë, kërkon të kthehen tarifat e vjetra

Blerta Deliu Kodra, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se njehsorët elektrik si matës të energjisë elektrike nëpër shtëpi e banesa, janë duke u tarifuar me çmime të shtrenjta, përkundër vendimit të gjykatave.

“Ka rreth dy muaj që vendimi i ZRRE-së është pezulluar ndërsa qytetarët po vazhdojnë ta paguajnë energjinë me çmime të shtrenjta. Ne si PDK kemi parashtru kallëzim penal në prokurori kundër bordit të ZRRE-së. Ky bord në vend se t`i zbatoj vendimet e dy gjykatave ata kanë vendosur që të abuzojnë me detyrën zyrtare që të krijojnë përfitime të pa ligjshme në kurriz të qytetarëve për dy kompanitë private KEDS dhe KESKO”, tha ajo.

Deliu Kodra tha se ZRRE-ja, duhet ti kthej tarifat e lira të energjisë elektrike.

“Është Albin Kurti si kryeministër dhe Vjosa Osmani presidente, të cilët me rastin e rishikimit të tarifave zyrtarisht kanë dërguar komente në ZRRE janë deklaruar pro ngritjes së tarifave dhe pro ngritjes së energjisë dhe që të dy i kanë zgjedhur anëtarët e bordit”, tha ajo.

Deliu Kodra i ka bërë ftesë presidentes që të deklarohet për tarifat e “shtrenjta” të ZRRE-së.

“Dilni para popullit dhe jepni sqarime se si për njerëz të pushtetit ligji nuk vlen se si ata janë mbi ligjin dhe si nuk i zbatojnë vendimet e gjykatave dhe si i keni mbyll sytë dhe veshët para kësaj padrejtësie që po u ndodh qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.