Delegacioni nga Kosova mban takime me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, flitet edhe për viza

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në takimin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka diskutuar edhe çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Pjesë e këtij delegacioni janë Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit si dhe deputeti Enis Kervan, anëtar, të cilët kanë vënë në pah rëndësinë e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

I pari që iu drejtua pjesëmarrësve duke i folur për këtë temë ka qenë Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Ai ka thënë se duhet të vazhdohet me procesin e liberalizimit të vizave, duke bërë kështu thirrje për një Kosovë pa viza.

“Lidhur me dialogun, ai tha se duhet të vazhdojë dhe të përfundojë me sukses, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Tutje thuhet se drejtuesja e delegacionit të Kosovës, Bogujevci ia rikujtoi të pranishmëve se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa të drejtë të lëvizjes së lirë.

“Ajo tha se liria e lëvizjes do të kontribuonte më së shumti tek të rinjtë, të cilët do të mund të kenë mundësinë të marrin eksperienca nga jashtë, për të ndihmuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit te tyre”, thuhet në njoftim.

Edhe deputeti Enis Kervan ka folur për këtë çështje.

Ai tha se kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet nga Marrëveshja e Dejtonit dhe tetëmbëdhjetë vjet nga Samiti i Selanikut, i cili nisi agjendën integruese të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, mirëpo, siç tha ai, ende edhe sot Kosova mbetet i vetmi vend i izoluar në Evropë.

“Dhe pyetja ime është pse, edhe përkundër faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, të konfirmuara edhe nga Parlamenti Evropian? Të mos harrojmë se në Kosovën multietnike, përveç shqiptarëve dhe serbëve, edhe komunitetet tjera, si turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, jetojnë me të drejta të plota kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë kemi një kërkesë për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse e ardhmja e të gjithë neve është brenda Bashkimit Evropian”, theksoi Kervan, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe “Mbështetja e një perspektive evropiane për Ballkanin Perëndimor”, gjatë trajtimit të së cilës pjesëmarrësve iu drejtua Várhelyi.

Ai ka folur lidhur me pakon e zgjerimit të Komisionit të BE-së 2021, Várhelyi tha se në raportet e këtij viti shihet se BE-ja ka një agjendë të njëjtë me Këshillin e Evropës sa i përket çështjes së reformave në Ballkanin Perëndimor.

“Siç mund ta dini, raportet e këtij viti përputhen plotësisht me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, të miratuar vitin e kaluar nga Komisioni, si dhe katër parimet kryesore të tij: më shumë besueshmëri, më shumë parashikueshmëri, më shumë dinamizëm dhe drejtim politik më të fortë”, theksoi Várhelyi.

Gjatë këtyre ditëve të takimit, delegacioni i Kosovës është takuar edhe me Istvan Jakab, Nënkryetar i Kuvendit të Hungarisë, si dhe me Zsolt Németh, Kryesues i Delegacionit të Hungarisë në Këshillin e Evropës, si dhe Kryesues i Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Këto takime u mbajtën më 3 dhe 4 nëntor në Budapest të Hungarisë.