
Delegacioni i Presidencës së Kosovës u takua me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof
Delegacioni i Presidencës së Kosovës është takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Alexander Kasanof.
Kështu ka bërë të ditur Presidenca përmes një njoftimi, ku thuhet se më 21.01.2025, gjatë vizitës në Washington, shefja e stafit të Presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për politikë të jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Kasanof.
Presidenca njofton se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, veçanërisht për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces.
“Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 22.01.2025.
Tutje, nga Presidenca njoftojnë se Kasanof, gjatë takimit, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa nga Presidenca thuhet se është ritheksuar nevoja që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke.