
Foto: KALLXO.com
Delegacioni i PE-së për zgjedhjet: Dështimi i KQZ-së për të publikuar rezultatet në kohë - për keqardhje
Shefja e delegacionit të Parlamentit Europian, Marta Temido, në prezantimin e deklaratës preliminare për vëzhgimin e procesit zgjedhor të zhvilluar më 09.02.2025 teksa përgëzoi për organizimin e zgjedhjeve tha se Kosova ka dëshmuar që është një demokraci e vërtetë.
Mirëpo, Temido ka ngritur disa nga shqetësimet që delegacioni i PE-së ka vërejtur derisa ka vëzhguar procesin zgjedhor, përfshirë këtu ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor duke mbështetur parinë e Listës Serbe.
“Ne kuptojmë që autoritetet e Serbisë kanë ndërhyrë seriozisht duke mbështetur një nga 6 partitë serbe, madje disa vëzhgues tanë kanë raportuar për presion mbi votuesit serbë” – tha ajo.
Me shqetësim nga delegacioni i Parlamentit Europian u pa edhe “hapësira e ngushtë politike për komunitetet joshumicë”.
Mungesa e pluralizmit politik në komunitetin serb, sipas Temidos, është konsideruar si jo e shëndetshme për demokracinë dhe për këtë tha se qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë standarde me të larta demokratike.
“Mungesa e pluralizmit të mirëfilltë politik në komunitetin serb nuk është e shëndoshë për demokracinë dhe nuk mund të injorohet. Të gjithë votuesit kosovarë meritojnë të kenë standarde më të larta demokratike” – tha ajo.
Vëzhgimi i procesit zgjedhor, sipas Temidos, ka ndihmuar në vlerësimin për mënyrën se si po zhvillohet demokracia në Kosovë.
Ndërkaq, dështim është konsideruar mospublikimi në kohë i rezultateve të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së.
“Dështimi për të garantuar publikim me kohë të rezultateve të zgjedhjeve është për keqardhje, trajnimi i zyrtarëve nëpër vendvotime ishte i vonuar” – tha Temido.
Vërejtje u dha edhe për marrëveshjen e anëtarëve të KQZ-së për moscertifikim e Listës Serbe edhe pse me pas u certifikua në kohë.
Gjuha “nxitëse” e përdorur nga partitë politike gjatë fushatave është vlerësuar si e ashpër dhe si e tillë ka kontribuar në denigrimin e grave, komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave tjera, vlerësoi delegacioni i PE-së.
“Kjo po ashtu kontribuoi në mesazhe të cilat denigronin gratë dhe kishte për qëllim që të krijonte qasje tradicionale për rolin gjinor, grupet e pakicës përfshirë edhe të komunitetit LGBTQ+ nganjëherë ishin me gjuhë të urrejtjes” – tha Temido.
Shefja e delegacionit të PE-së shprehu brengat edhe për qasjen e kufizuar në shumë vendvotime për personat me aftësi të kufizuara, materialet që mungonin për personat me shikim të dëmtuar dhe për numrin e grave kandidate.