Foto: BIRN

Delegacioni i BE, Ambasada e ShBA-së dhe e Britanisë dënojnë dhunën e përdorur gjatë protestës në selinë e PD-së

Delegacioni i BE-së, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasada Britanike kanë reaguar lidhur me protestën e cila u zhvillua sot para selisë së Partisë Demokratike, ku është përdorur edhe dhunë nga ana e protestuesve.

Ambasadorja e ShBA-së në Tiranë, Yuri Kim, është shprehur shqetësimet e ShBA-së në lidhje me tensionet dhe përdorimin e dhunës.

“ShBA është thellësisht e shqetësuar me rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të ushtrojnë qetësi. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës”, ka shkruar ambasadorja në Twitter.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka dënuar dhunën e ushtruar sot në protestë.

“MB është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD. I bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin dhunën. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike & ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.

Ndërsa Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka thënë se rruga e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit.

Në reagimin e tyre thuhet se të gjithë të përfshirët në ngjarjen e sotme, kanë përgjegjësi të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm.

“Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në axhendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE”, thuhet në reagimin e delegacionit.

Protesta ka filluar nga ora 12:00 para selisë së PD.

Kjo protestë vjen pas nuk u respektua 5 janari, afati që ai i kishte lënë Bashës për të liruar selinë, gjë e cila nuk ndodhi.

Pak minuta më parë Policia ka ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.

“Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të  përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia dhe prokurorët janë futur në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, ku ka filluar edhe kryerja e veprimeve procedural dhe këqyrja e ambienteve, ku u zhvillua ngjarja që arriti edhe në përdorimin e dhunës nga protestuesit.