
Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KiE-së: Kosova mbajti zgjedhje paqësore, vonesa e publikimit të rezultateve shihet si mangësi
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka deklaruar se në përgjithësi Kosova mbajti zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe paqësore më 09.02.2025.
Megjithatë, delegacioni ka përmendur edhe disa nga sfidat e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë.
Sipas delegacionit, publikimi i vonuar i rezultateve preliminare është parë si mangësi.
“Votuesit e Kosovës demonstruan përkushtimin e tyre ndaj demokracisë duke votuar në mënyrë paqësore dhe pa tensione gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 për Kuvendin e Kosovës. Anëtarët e komisioneve zgjedhore vendore duhet të përgëzohen për bashkëpunimin e tyre kolegjial dhe respektues, duke tejkaluar orientimet politike dhe barrierat gjuhësore, duke u distancuar nga gjuha përçarëse dhe gjuha e urrejtjes së përdorur nga liderët politikë, e cila ishte karakteristikë e periudhës parazgjedhore”- ka thënë delegacioni.
Ndërsa, thuhet se zgjerimi i mundësive për votim jashtë vendit është i mirëpritur, autoritetet duhet të trajtojnë edhe çështjen e listës së zgjedhësve, e cila duhet të jetë e saktë dhe të pasqyrojë realitetet brenda dhe jashtë vendit.
Tutje delegacioni ka thënë se duhet të vendosen mekanizma për të siguruar që regjistri civil dhe listat e votuesve të mbahen vazhdimisht të përditësuara dhe të sakta faktike.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se kanë arritur të tejkalojnë problemin me publikimin e rezultateve preliminare nga procesi i votimit i zhvilluar më 09.02.2025.
Zgjedhjet e 09.02.2025 janë të parat të rregullta që Kosova i ka mbajtur që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
Lajm në zhvillim: Rezultatet preliminare të KQZ-së për 99.09 % të votave të numëruara