Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit.

Del i rremë 'lajmi' për vdekjen e Ratko Mladiqit

Një postim i bërë nga një llogari falso në emër të zëvendës kryeministres së Bosnjës dhe Hercegovinës, Biserka Turkoviq për vdekjen e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq, doli të jetë i rremë.

Lajmi për vdekjen e Mladiqit është mohuar nga zëdhënësja e Mekanizmit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Helena Eggleston.

“Ne nuk e kemi këtë informacion”, ka thënë zëdhënësja Eggleston për BIRN në Sarajevë.

Edhe Turkoviq ka konfirmuar për BIRN në Sarajevë se bëhet fjalë për një llogari të rreme që është hapur në emër të saj në Twitter.

Në këtë postim, thuhej se vdekja e Mladiqit është konfirmuar nga “Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Lajmi, sado i pakonfirmuar nga dora e parë, është shpërndarë dhe komentuar mjaft në Twitter.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm në nëntor 2017, duke e konsideruar atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiq e apeloi vendimin, siç bëri edhe prokuroria e Hagës, e cila kërkon që ai të shpallet fajtor për gjenocid në gjashtë komuna të tjera në vitin 1992.

Prokurorët do të paraqesin apelin e tyre një ditë pas mbrojtjes së Mlladiqit, më 18 mars.

Ende nuk është caktuar një datë për vendimin përfundimtar, por Carmel Agius, presidenti i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, ka thënë se ai do të jepet deri në fund të vitit 2020.

Vendimi përfundimtar për Mlladiqin duhet të ishte dhënë më herët sesa kaq, por pas një kërkese nga mbrojtja, tre gjyqtarë u hoqën nga gjyqi i tij pasi Mlladiqi i akuzoi ata për njëanshmëri.

Më pas u emëruan gjyqtarë të rinj të cilët kanë nevojë për kohë për t’u njohur me çështjen.