Dekorohen me Medalje Presidenciale të Meritave punonjësit shëndetësorë që vdiqën si pasojë e infektimit gjatë punës me COVID-19

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka vendosur që të dekorojë post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave punonjësit shëndetësorë të cilët kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19.

“Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne”, ka shkruar Osmani në ‘Facebook’.

Sipas njoftimit të Osmanit, ceremoninë e ndarjes së dekoratave do të organizohet së shpejtë në Presidencë, në prani të familjarëve.