Deklarohet Telekomi i Kosovës: Nuk ka përgjime nga ana jonë

Një dhomë e përgjimeve brenda Telekomit të Kosovës ka qenë pjesë e debateve të shumta ditëve të fundit pas deklaratave të Presidentit Thaçi, i cili tha se Kryeministri Kurti, U. D i detyrës së Ministrit të MPB-së Xhelal Sveçla dhe Zëvendëskryeministri Haki Abazi për tri ditë radhazi kanë qenë brenda kësaj dhome.

Telekomi i Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se siguron konsumatorët se nuk ka pasur përgjime dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin e tyre.

Madje Telekomi i Kosovës me anë të njoftimit ka thënë se deklaratat e dhëna nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit në këtë rast të Thaçit janë joprofesionale dhe të pambështetura në fakte.

Sipas njoftimit këto deklarata e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës.

Më poshtë u sjellim njoftimin e plotë të Telekomit të Kosovës:

–              Telekomi i Kosovës sh.a. sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.

–              Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.

–              Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.

–              Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.

–              Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.

–              Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.

–              Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.

–              Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës sh.a.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ditë më parë ka deklaruar se zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Postë-Telekomin e Kosovës për 3 ditë rresht.

Këto akuza Kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka quajtur gënjeshtra.

KALLXO.com ka raportuar edhe se Prokuroria e Shtetit ka nisur të grumbulloj informacione në lidhje me deklaratat e Thaçit.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!