Deklarohet Policia pas arrestimit të Dardan Molliqajt

Pas arrestimit të Dardan Molliqajt, Policia e Kosovës ka thënë se ka realizuar urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë.

Arrestimi i Molliqajt ka ndodhur pas përfundimit të protestës të veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Së bashku me Molliqaj, policia ka treguar se ka arrestuar edhe tre persona tjerë nën dyshimin se të njëjtët kanë penuar zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

“Policia e Kosovës, bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar personin D. M., i cili ishte në kërkim”, thuhet në njoftimin e Policisë

“Njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre persona (F. K., Z. H., G.K.,) të cilët kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit”, ka shtuar Policia.

Tutje në komunikatë është thënë se të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë janë realizuar konform autorizimeve ligjore, përderisa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Lidhur me rastin, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi në një bisedë telefonike për KALLXO.com ka thënë se arrestimi ka ndodhur menjëherë pas protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Posa është përfundu protesta na u lëshunë pas policia që na kanë përcjellë gjatë gjithë ditës. Ishin polic civil dhe në mënyrë të frikshme na ndjekën gjatë gjithë sheshit dhe posa kaluam sheshin dhe u shkëputëm nga veteranët dikun rreth 30 polic e kryen një arrestim tepër të dhunshëm”, tha Kuçi.

Tutje ajo tha përpos Dardan Molliqaj, policia për arsye të rezistencës së pjesëtarëve të PSD-së, arrestuan edhe katër anëtar tjerë të kësaj partie.

“Të arrestuarit tjerë janë Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça. Janë arrestu pasi ne kemi pas rezistencë”, tha Kuçi.

Ajo po ashtu pretendoi se policia gjatë arrestimit ka përdorur dhunë ndaj të tjerëve.

“Ata e arrestuan dhe përdorën dhunë ndaj gjithë neve të tjerëve që ishim prezent”, tha ajo.

Sipas Kuçit, policia nuk ka prezantuar as urdhër arrest gjatë arrestimit.

“As nuk prezantuan urdhër arrestin dhe as nuk kanë dërguar ftesë më herët në zyrë me pretekstin se nuk kanë adresë”, tha ajo.

PSD po ashtu ka lëshuar një komunikatë për media.

“Policia e Kosovës arreston me dhunë, grushte e me sharje aktivistët e PSD-së menjëherë pas protestës së veteranëve të UÇK-së. Pushtetit po i pengon protesta e veteranëve. Nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot”, thuhet në këtë komunikatë.

Tutje PSD ka thënë se aparatura shtetërore është vënë në funksion të përndjekjes së opozitës.

Sipas tyre, arrestimi i Dardan Molliqajt është i paligjshëm sepse ka shkelë procedurat e kodit penal në fuqi.

“Arrestimi i aktivistëve të tjerë pos që nuk ka arsyetim, është bërë dhunshëm, me rrahje, kërcënime e sharje nga policia”, ka thënë PSD duke shtuar se kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe aktivistëve Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça.