Deklarohet Kurti pas qëndrimit treditor në Uashington

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në tri ditët e fundit ka qëndruar në Uashington.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se gjatë këtij qëndrimi ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të dy degëve politike të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dega ekzekutive dhe ajo legjislative.

Sipas Kurtit, takime të frytshme janë zhvilluar edhe me zyrtarët më të lartë të administratës Biden në fushat e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ndërkombëtar, me Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe Samantha Power, administratore e Agjencisë së ShBA-së për Zhvillimin Ndërkombëtar.

“Në Kongresin amerikan, jemi pritur nga udhëheqësit kryesorë në fushën e politikës së jashtme, Bob Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe Gregory Meeks, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, si dhe jemi takuar me senatorët Joni Ernst, Chris Murphy, Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Ted Cruz, dhe me kongresistët Ritchie Torres, Jim Himes, Robert Aderholt, Lisa McClain, Carolyn Maloney, Darrell Issa, Elissa Slotkin, Mondaire Jones, Jim McGovern, Brad Schneider dhe Bill Keating”, ka thënë Kurti.

Tutje i pari i qeverisë ka thënë se qëllimi kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Kosovës dhe ShBA-së.

“Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Uashington, D.C”, ka thënë Kurti.

Sipas shefit të qeverisë, në të gjitha takimet zyrtare kanë potencuar se për sigurinë e Kosovës ka nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, kthimin e kampit ushtarak “Bondsteel” në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, si dhe rritjen e mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Tutje ai ka thënë se zyrtarët e lartë të ShBA-së janë njoftuar për progresin demokratik e socioekonomik pas një viti në drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për punën e angazhimin e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit, sidomos përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nga të gjithë zyrtarët morëm mbështetje shprehimisht për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe pranuam falënderime për ndihmën që u kemi dhënë refugjatëve afganë, për rreshtimin përkrah ShBA-së dhe botës demokratike me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas invazionit ilegale të Ukrainës dhe për gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5,000 refugjatë prej atij konflikti”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Kryeministri i vendit ka thënë se zyrtarët amerikanë i kanë përgëzuar për qëllimin gjatë vizitës së tij në ShBA për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë, sic thotë Kurti, një faktor ky i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

“Përveç takimeve zyrtare, isha mysafir i platformës “Front Page” të “Atlantic Council”, ku zhvillova një bashkëbisedim të rëndësishëm rreth situatës aktuale në botë dhe sesi ajo ndikon në sigurinë e Kosovës dhe përspektivën për paqe në rajon. Gjatë bisedës ritheksova rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm sepse historia jonë është e thurur në kohë çlirimi dhe nevoje, por sepse jemi të lidhur me vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, ka treguar ai.

Tutje, Kurti ka thënë se ka rikujtuar sesi nga një viktimë e luftës dhe gjenocidit, Kosova është bërë një shtet i pavarur, sovran, me institucione të plota demokratike dhe një kushtetutë të bazuar në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke thënë se historia e suksesit tonë është histori që ne tani e ndajmë me komunitetin botëror të kombeve demokratike.

Kurti ka shtuar edhe se në kuadër të iniciativës Dialogut me Mërgatën, edhe në Uashington, ka takuar bashkatdhetarë profesionistë, me të cilët thotë se ka biseduar për mundësitë e përfshirjes së mërgatës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

“Bashkëbiseduam për rëndësinë e posaçme që ka rrjetëzimi i profesionistëve në mërgatë, ndërtimi i mekanizmave për transferimin e njohurive, ekspertizës dhe burimeve dhe krijimi i instrumenteve për përfshirje aktive në politikat zhvillimore”, thotë Kurti duke shtuar se Qeveria e Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e këtyre profesionistëve në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore në Kosovë.

“Falënderova komunitetin shqiptar të Uashington D.C. për pritjen, si dhe për dialogun e thelluar mbi mënyrën se si profesionistët e komunitetit mund të kontribuojnë në përparimin e vazhdueshëm të Kosovës. Në përfundim të vizitës në Uashington, D.C. u prita nga Këshillat Amerikanë, ku u takova me drejtuesit e tij dhe mysafirë të tjerë të ftuar”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se Këshillat Amerikanë funksionon edhe në Republikën e Kosovës dhe, sipas Kurtit është organizata zbatuese e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria amerikane, ndër to programin KAEF që i dedikohet zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit nëpërmjet edukimit të të rinjve nga Kosova në universitetet më të përzgjedhura në ShBA.

“U shpreha mirënjohjen time drejtuesve të kësaj organizate për kontributin në ngritjen e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale si dhe përvojave kulturore të vendit nëpërmjet programeve të ndryshme nga të cilat kanë përfituar qindra studentë të Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjera Kurti.

Krejt në fund ai shtoi se programe të tilla ku studentët studiojnë e shkollohen në institucione amerikane, për t’u kthyer pastaj e për të dhënë kontributin e tyre në vend, janë tejet të rëndësishme për zhvillimin e vendit tonë. Në këtë mënyrë, përpos dijes dhe aftësive të përfituara me të cilat i kontribuojnë vendit, ndërtojmë edhe më shumë ura lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve.