Zenun Elezaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deklarohet kryetari i Klinës pasi u dënua për punësimin e vajzës së tij

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është shprehur i bindur se Gjykata e Apelit do të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Pejës, e cila atë e shpalli fajtor për konflikt interesi.

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor për konflikt interesi Elezajn dhe e ka dënuar me 4 mijë euro gjobë.

Gjykata po ashtu ia ka ndaluar ushtrimin e funksionit në administratën publike për dy vite. Elezaj akuzohet nga Prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Ndërkaq, Elezaj ka deklaruar se i është shmangur konfliktit të interesit.

“Duke qenë se vendimin gjykata e ka shpallur sot, jam i bindur se ankesa drejtuar Gjykatës së Apelit të Kosovës si Gjykatë e shkallës së dytë do rrëzojë këtë vendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Kjo meqë unë jo që nuk kam kryer veprën penale në fjalë, por i jam shmangur konfliktit të interesit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më poshtë e gjeni të plotë reagimin e tij:

Për të gjitha palët e interesuara,

Sot, përmes mbrojtësit kam kuptuar se Gjykata Themelore në Pejë, si Gjykatë e shkallës së parë, më ka shpallur fajtor për veprën penale të konfliktit të interesit.

Duke qenë se vendimin gjykata e ka shpallur sot, jam i bindur se ankesa drejtuar Gjykatës së Apelit të Kosovës si Gjykatë e shkallës së dytë do rrëzojë këtë vendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Kjo meqë unë jo që nuk kam kryer veprën penale në fjalë, por i jam shmangur konfliktit të interesit.

Unë kam zbatuar ligjin në fuqi në përpikëri, e Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë për ta mbështetur aktakuzën e saj. E për habinë time, Gjykata e shkallës së parë ka gjetur bazë të më shpallë fajtor pa asnjë provë të drejtpërdrejt.

Sa do që ky vendim nuk është i drejtë për mua, shpresoj se ai nuk është nxitur nga interesat politike të kujtdo.

Pasi do të pranojmë vendimin me shkrim, sigurisht se ekipi i mbrojtjes do të deklarohet për opinionin tonë përshtatshmërisht.

Sinqerisht, i juaji,

Zenun Elezaj