IKShPK

Deklarohet Instituti i Shëndetësisë Publike pas dyshimit për helmim nga uji në Han të Elezit

Pas dyshimit për helmim nga uji të 130 qytetarëve të Hanit të Elezit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se kanë kryer analizat e nevojshme nga të cilat ka rezultuar se përveç turbullirës në dy raste, mostrat e ujit rezultojnë brenda parametrave normale.

Lidhur me rastin, IKShPK ka thënë se janë marr mostra të ujit edhe për analizë bakterore.

Tutje është thënë se ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipin e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në Qendrën Klinike Mjekësore Familjare.

Pjesa dërmuese e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është thënë se janë nga fshati Gorancë dhe pjesa tjetër nga fshatrat Glloboçicë dhe Seqishtë.

Personat që janë paraqitur për ndihmë thuhet se kanë simptomat e njëjta: barkqitje, vjellje, temperaturë.

“Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar. Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervoar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës”, është thënë tutje.

IKSHPK ka thënë se në momentin që i ka rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale.

Tutje ata kanë thënë një rekomandim për qytetarët që ujin që e përdorin për pije dhe ushqim ta vlojnë para përdorimit dhe të mos ndërpritet furnizimi për shkak që mund të përdoret për nevoja të tjera teknike.

Dyshime për helmim nga uji, 130 banorë të fshatit Gorancë të Hanit të Elezit kërkojnë ndihmë në QKMF