Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e vitit 1999 në Rudicë të Klinës

Bujar Bajraktari doli sot para Gjykatës së Pejës për tu ballafaquar me akuzën e prokurorisë për vrasjen e një burri të komunitetit rom në gusht të vitit 1999.

Bajraktari u deklarua i pafajshëm për veprën për të cilën akuzohet.

“Nuk e pranoj fajësinë” deklaroi i akuzuari.

Sipas aktakuzës, Bajraktari pas një fjalosje me të ndjerin Cenë Malisheva, e kishte goditur me shuplakë e më pas nga qerrja me kali e kishte nxjerrë një shufër druri me të cilën e kishte goditur viktimën në pjesën e pasme të kokës.

Dosja e prokurorisë sqaron se Cenë Malisheva nga plagët e marra kishte vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional të Pejës.

Gjyqtarja Violeta Husaj -Rugova e njoftoi të akuzuarin me të drejtën për kundërshtim të provave dhe të aktakuzës.

Seanca e radhës mbahet më 8 prill.