Deklarohet i pafajshëm hetuesi policior, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Adnan Bujupi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë. Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 15.11.2024 në Gjykatën e Prishtinës, i pandehuri Bujupi u deklarua i pafajshëm.
Adnan Bujupi po akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, hetues në Policinë e Kosovës –Drejtoria për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për Policinë, Kodin e Procedurës Penale dhe në kundërshtim me ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besnik Jakupi, i akuzuari Bujupi u deklarua rreth fajësisë.
“I pafajshëm”- tha i akuzuari Bujupi.
Pas deklarimit të të akuzuarit, gjyqtari Gent Beka njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës apo kundërshtim të provave.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës së datës 28.10.2024 i pandehuri Adnan Bujupi po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitoj për personin tjetër tani të kërkuarin Arben Lamqaj dhe t`i shkaktoj dëm autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për Policinë, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Bujupi më datë 04.08.2024 rreth orës 15:00, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar, hetues në Policinë e Kosovës Drejtoria për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar Policor “ILECU”, njësia “Fast”, me rastin e zbatimit të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, kundër personit të kërkuar Arben Lamqaj me qëllim të ekstradimit nga shteti kërkues dhe pasi Njësia Fast, kishte arritur që të arrestojë të kërkuarin i pandehuri Bujupi ishte ngarkuar që të zhvilloj procedurën policore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i njëjti me atë rast, ia kishte sekuestruar tre telefona dhe gjësendet personale personit të arrestuar, mirëpo nuk e kishte njoftuar prokuroren Speciale Merita Bina- Rugova (e ngarkuar me rastin), lidhur me sekuestrimin e telefonave, edhe pse një udhëzim të tillë e kishte marrë edhe nga udhëheqësi i tij, Nysret Sahiti.
Tutje, në dosjen e prokurorisë thuhet se në ditën kur është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të kërkuarit, i akuzuari Bujupi pa u konsultuar me prokuroren e çështjes ia kthen telefonat personit të kërkuar, edhe pse telefonat i kishin kërkuar autoritet e Republikës së Shqipërisë përmes PSRK-së.
Sipas aktakuzës me këto veprime i pandehuri Adnan Bujupi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.