Deklarohet BQK për pretendimet e ministrit Murati se Byroja e Sigurimeve po detyron mërgimtarët të paguajnë polica kufitare për të cilat ka paguar Qeveria

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) si institucion mbikëqyrës i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ka thënë se janë në dijeni të ekzistimit të disa dyshimeve që janë adresuar tek BKS-ja, në lidhje me pagesën e policave kufitare nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë.

Sot më 06.08.2024 përmes një postimi në Facebook, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pretenduar se BKS është duke i detyruar mërgimtarët të paguajnë polica kufitare për të cilat ka paguar Qeveria.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BQK ka thënë se qytetarët duhet të informohen saktësisht lidhur me subvencionimin e policave kufitare nga Qeveria.

“Ne jemi në dijeni të ekzistimit të disa dyshimeve për raste të praktikave të papranueshme dhe të paligjshme, të cilat janë adresuar tek BKS-ja si autoritet përgjegjës për policat e sigurimit kufitar” – kanë thënë nga BQK.

“E shohim të nevojshme të ri-theksojmë nevojën që qytetaret të informohen saktësisht lidhur me Policën Kufitare 1-mujore e cila subvencionohet plotësisht (100%) dhe është falas për policëmbajtësin”.

Tutje, BQK ka thënë se është e përkushtuar që të adresojë çdo shqetësim apo shkelje që paraqitet gjatë zbatimit të procesit apo në çdo fazë të mëvonshme.

“BQK në rolin mbikëqyrës dhe rregullator si palë nënshkruese në Memorandumin e Mirëkuptimit që është në fuqi lidhur me policën kufitare me kujdes shqyrton zbatimin e duhur të saj” – ka thënë BQK-ja.

Ministri Hekuran Murati u ka bërë thirrje mërgimtarëve që vijnë në Kosovë, të mos paguajnë policat kufitare njëmujore për vetura deri në 9 pasagjerë, pasi që ato janë të paguara nga Qeveria.

Ai pretendon se punëtorë të papërgjegjshëm, siç i ka quajtur ai, të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) nuk janë duke informuar saktë që polica kufitare është e subvencionuar dhe sipas tij, po i detyrojnë mërgimtarët që të paguajnë për së dyti.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te Byroja Kosovare e Sigurimeve në lidhje me pretendimet e ministrit Murati.

Murati thotë se Byroja e Sigurimeve po detyron mërgimtarët të paguajnë polica kufitare për të cilat ka paguar Qeveria