Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit në rastin e njohur si “PTK – Z-Mobile”

Ish shefat e PTK-së, Agron Mustafa, Rexhë Gjonbalaj dhe Ejup Qerimi, janë ulur sot sërish në bankën e të akuzuarve në rastin e njohur si “PTK – Z-Mobile”.

Prokuroria njoftoi se ka bërë ndryshimin e aktakuzës lidhur me këtë rast, me këtë është ndryshuar përshkrimi i aktakuzës, ndërsa cilësimi i veprës është i njëjtë. Pas leximit të aktakuzës të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Prokurori i rastit, Naim Abazi propozoi që në seancën e radhës, të ftohet si e dëmtuar Posta dhe Telekomi i Kosovës.

Mbrojtja kundërshtoi aktakuzën e ndryshuar, po ashtu thanë se nuk mund të japin fjalën hyrëse në këtë seancë, duke kërkuar kohë që të analizohet ajo.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 16 qershor.

Kujtojmë se më 21 tetor 2019, të akuzuarit në këtë rast ishin liruar nga akuzat me të cilat ngarkoheshin.

Ndërsa rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale e ngarkon Ejup Qerimin se nga muaji shkurt i vit 2012 e deri në tetor të vitit 2014, duke qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij me qëllim që t’i shkaktonte dëm kompanisë “Dardafon.net”, tani “Z-Mobile”, duke mos zbatuar kontratën e lidhur më 16 janar 2009.

Objekt i kësaj kontrate ishin liferimi i SIM-kartelave, blloqet e numeracionit dhe shërbimet 3G dhe 4G.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), kishte marrë vendim më 18 korrik 2013, për rezervimin e serisë së numeracionit  jo-gjeografik mobil 045xxx xxx për përdorimin e mëtejshëm nga operatori “Dardafon.net”, tani Z-Mobile.

Mirëpo, i pandehuri Ejup Qerimi sipas aktakuzës kishte bërë padi për anulimin e vendimit të ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, e cila padi ishte refuzuar dhe vendimi kishte marrë formën e prerë.

Më pas ishte zhvilluar procedura në Arbitrazh, ku më 19 dhjetor 2016 sipas këtij vendimi Telekomi i Kosovës ishte detyruar të paguajë shumën prej 32,856,407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”.

Ndërsa Agron Mustafën Prokuroria e akuzon se që nga data 19 shkurt 2015, pasi është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i PTK-së e deri me datën 24 maj 2017, kishte lidhur marrëveshje për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.

Sipas Prokurorisë, Agron Mustafa me qëllim që t’i shkaktojë dëm “Dardafon.net, nuk kishte zbatuar kontratën e datës 16 janar 2009.

Ndërsa lidhur me vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016, Agron Mustafa edhe pse ishte në dijeni se ndaj këtij vendimi nuk ishte e lejuar ankesa  kishte angazhuar  ‘’Studio Ligjin’’ që të parashtronte ankesë në Gjykatën e Lartë Angleze, e cila gjykatë e kishte hedhur ankesën dhe kishte obliguar  Telekomin e Kosovës që të paguajë shumën prej 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net” tani Z-Mobile, duke mos llogaritur shpenzimet profesionale që kapin shumën prej 198,323.06 euro dhe 65,000.00 funta për Gjykatën angleze.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj akuzohet se duke qenë kryesues i bordit të drejtorëve të PTK-së, nuk ka përmbushur detyrimin e tij me qëllim që të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile, t’i shkaktojë dëm.

Sipas Prokurorisë Rexhë Gjonbalaj nuk kishte përmbushur kontratën e datës 16 janar 2009, nuk kishte respektuar vendimin e ARKEP-së të datës 18 korrik 2013, si dhe nuk kishte përmbushur vendimin e Arbitrazhit të datës 19 dhjetor 2016 me të cilën Telekomi i Kosovës obligohej t’i paguante 32,856.407.28 euro të dëmtuarës “Dardafon.net”, tani Z-Mobile.

Kjo lëndë është shqyrtuar nga trupi gjykues në krye me Lutfi Shalën dhe Nushe Kukaj- Mekajn dhe Agim Kuçin.

Ndërsa prokuror ishte Naim Abazi.

Seanca fillestare ishte mbajtur me datën 27 shtator 2018 në të cilën 3 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Me datën 7 nëntor 2018 ishin parashtruar kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës pasi e njëjta sipas të akuzuarve nuk përmbante as dyshimin e arsyeshëm se të akuzuarit kishin kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës.

Më 18 dhjetor 2018, gjykatësi Lutfi Shala kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarve për  hedhjen e aktakuzës  dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve ndërsa të dëmtuarën “Dardafon.net”, tani Z-Mobile e kishte udhëzuar në kontest civil.

Më 4 shkurt 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e prokurorit të shtetit  dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Pas mbajtjes së 8 seancave gjyqësore Gjykata e Prishtinës liroi Ejup Qerimin, Agron Mustafën dhe Rexhë Gjonbalajn nga akuza e Prokurorisë Speciale.

Gjykata e Prishtinës për të pandehurin Ejup Qerimin në arsyetim tha se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën ngarkohet sepse për habi e njëjta Prokurori më 8 qershor 2011, kishte ngritur aktakuzë për lidhjen e kontratës së dëmshme dhe Prokuroria ka akuzuar Ejup Qerimin për moszbatimin e kontratës për ligjshmërinë  e së cilës ishte duke u zhvilluar proces gjyqësor.

Po ashtu lidhur me shërbimet 3G dhe 4G, trupi gjykues kishte vërtetuar se në periudhën 2012/2014 në treg nuk kishte shërbime 3G dhe 4G, pasi këto shërbime kanë filluar të jepen nga viti 2015.

Lidhur me vendimin e ARKEP-së, Gjykata kishte vërtetuar se vendimi në fjalë ishte realizuar duke iu rezervuar blloku i numeracionit 377457xxxxx prej 100,000 numrash.

Po ashtu, sipas trupit gjykues parashtrimi i padisë nuk paraqet vepër penale dhe ky veprim ka qenë në harmoni me detyrat dhe përgjegjësitë e Ejup Qerimit si kryeshef ekzekutiv në PTK, ndërsa parashtrimi i mjeteve juridike është parashtruar nga zyra ligjore në kuadër të PTK-së.

Në rastin konkret Gjykata ka gjetur se nuk ekzistojnë elementet e veprës penale pasi Prokuroria Speciale me asnjë provë nuk ka arritur ta vërtetojë dyshimin e bazuar mirë se Ejup Qerimi ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Të pandehurin Agron Mustafa Gjykata e Prishtinës  e liroi nga akuza, pasi sipas Gjykatës nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale me të cilën e ngarkon aktakuza.

Sipas Gjykatës aktakuza flet për mospërmbushjen e kontratës duke e ndërlidhur me mospërmbushjen e detyrave zyrtare dhe nuk jep asnjë arsyetim, vlerësim apo sqarim se a ka ekzistuar dashja direkte e të akuzuarit për të mos përmbushur të njëjtën.

Në bazë të provave trupi gjykues ka vërtetuar se Agron Mustafa mandatin si drejtor menaxhues në Telekom e ka filluar më 23 shkurt 2015, ndërsa procedura e Arbitrazhit kishte filluar për mosmarrëveshjet me procedurat e brendshme për periudhat shtator 2014 dhe janar 2015.

Po ashtu trupi gjykues ka vërtetuar se me asnjë provë nuk është vërtetuar dashja direkte e të akuzuarit Agron Mustafa që duke keqpërdorur detyrën t’i sjellë vetës ose personit tjetër dobi pasurore

Ndërsa për angazhimin e “Studio Ligjit”, trupi gjykues kishte vërtetuar se e njëjta ishte përzgjedhur në tender të hapur e jo njëburimor ashtu siç pretendon Prokuroria.

Edhe përkitazi me  të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj, trupi gjykues gjeti se nuk plotësohen elementet e veprës penale me të cilën ngarkohet.

Për Gjonbalajn Prokuroria nuk kishte arritur të vërtetonte dashjen direkte  si element qenësor për të mos e përmbushur kontratën me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se vepra penale me të cilën janë ngarkuar Ejup Qerimi, Agron Mustafa dhe Rexhë Gjonbalaj mund të kryhet vetëm me dashje direkte.

Agim Kuçi, Agron Mustafa, Dardafon.net, Ejup Qerimi, Gjykata e Apelit, Kontesti Ptk-Zmobile, Lutfi Shala, Naim Abazi, Kujtim Krasniqi, Rexhë Gjonbalaj