Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë

Dragan Milloviq dhe Zoran Kostiq, të akuzuar për krime lufte janë ulur sot më 11.06.2024 në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Që të dy janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që i ngarkon Prokuroria Speciale.

Sipas aktakuzës, më datë 06.04.1999, i akuzuari Kostiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, serbe, ka marr pjesë në sulmin kundër popullsisë civile shqiptare më konkretisht të familjes Ujkani nga fshati Rreznik i komunës së Vushtrrisë.

“Forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Shaip Zenelit, të cilën shtëpi policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab ashtu që ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile në mesin e pjesëtarëve tjerë të ushtrisë paramilitarëve serb ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marr pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civil të paarmatosur në fshatin Rreznik”- thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë gjithashtu thuhet se më datë 22.05.1999 i akuzuari Kostiq në bashkëkryerje me persona tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre duke i detyruar popullatën civile të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.

“Me këto veprime Kostiq ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile”, – thuhet ndër tjera në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Dragan Milloviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për dëbimin e shqiptarëve nga Komuna e Vushtrrisë.

“Gjatë muajit maj 1999 i akuzuari si pjesëtar i forcave serbe në Vushtrri në periudhën e luftës në Kosovë, forcërisht i kanë dërguar diku 20 mijë banorë civil të Vushtrrisë tek varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur, torturuar civil të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit”- thuhet në aktakuzë.

Prokuroria Speciale e akuzon Kostiqin gjithashtu se shumë prej qytetarëve që i kishin grumbulluar tek varrezat e qytetit të Vushtrrisë i kishin hipur në kamionë dhe i kishin dërguar në burgun e Smrekonicës ku janë maltretuar në mënyra më brutale pastaj i kishin deportuar për në Shqipëri.

“Me këto veprime Kostiq në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Krimet e luftës kundër popullatës civile”- thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.