Ymer Fejzullahu - Kryetar i bordit të ZRrE-së - Foto: Kallxo.com
Deklarohen nga ZRrE: Vendimi për ta shtrenjtuar rrymës është i ligjshëm, ne do të ankohemi
Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të shtyrë ekzekutimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.
Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në një deklaratë për KALLXO.com.
Sipas tij, vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës është i ligjshëm.
“Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin, por sapo ta kemi atë ne do të apelojmë vendimin e Gjykatës Themelore në përputhje me këshillën ligjore. Vendimi i ZRrE-së për të caktuar të hyrat maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Fejzullahu.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesë padinë e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për aprovimin e tarifave të reja.
Me këtë aktvendim, Gjykata ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor.
Në lidhje me këtë vendim Partia Demokratike e Kosovës sot ka paralajmëruar konferencë për media ku do të flasin tre zyrtarë të saj: Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar, Ferat Shala, Kryetar i Komisionit për Ekonomi dhe Blerand Stavileci, anëtar i Kryesisë.
Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.
Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.
Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.
Po ashtu, bordi i ZRrE-së kishte vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.
Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.
Po ashtu, ai tha se konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovat do të kenë rritje mesatarisht prej 10 euro.
Tarifat do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2023.
Shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për ta shtrenjtuar rrymën