Deklarohen kryetarët e Zubin Potokut dhe të Zveçanit për takimin me ndërkombëtarët

Dy kryetarët e komunave, Zubin Potokut dhe Zveçanit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë dalë me deklaratë pas takimit të sotëm me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Ata kanë thënë se kanë diskutuar për situatën në komunat e pjesës veriore të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit të cilat pasuan betimin e tyre si kryetarë të komunave përkatëse.

Tutje, ata kanë kërkuar që sa më parë të kthehet normaliteti në veri, në mënyrë që puna e tyre të ketë kuptim.

Ushtrimi i detyrave të tyre, thonë se duhet bërë normalisht, pa nevojë të mbrojtjes policore.

Eskalimit i situatës mbetet shqetësimi i tyre më i madh.

Për arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, ata kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë.

Qëllimi dhe synimi i tyre, siç thonë ata, që nga dita e kandidimit ka qenë që t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve të komunave, pa asnjë dallim, drejtë dhe profesionalisht.

Ata thonë se kjo situatë nuk i pëlqen askujt, prandaj bëjnë thirrje për qetësi nga të gjitha palët, duke e konsideruar dhunën si të patolerueshme.

“Personalisht, pasi që edhe jetojmë në Zveçan e Zubin Potok, e njohim situatën faktike ne terren dhe e dimë mundësinë reale për përshkallëzimin e gjendjes” – kanë shkruar ata.