Deklarimi i pasurisë, 109 zyrtarë publik nuk e deklarojnë pasurinë sipas Ligjit

Më 31 mars 2021 ka përfunduar afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave.

Nga komunikata e Agjencisë Kundër Korrupsionit – AKK, bëhet e ditur se nga gjithsej 4892 zyrtarë të lartë publik, 4783 zyrtarë kanë bërë deklarimin e pasurisë në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

“Nga numri i  përgjithshëm prej 4892 të zyrtarëve të lartë publik që  kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4783 zyrtarë të lartë publikë  kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 56 zyrtarë të lartë publikë kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, 28 nga zyrtarët nuk e kanë deklaruar pasurinë me arsye, ose kanë deklaruar pas afatit, me arsyet e cekura ndërsa 25 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani”, thuhet në njoftim.

AKK poashtu ka njoftuar se për shkak të pandemisë procesi i pranimit të deklaratës së pasurisë është bërë në mënyrë elektronike.

“Përveç deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë, me ndryshimet që kanë ndodhur në institucionet publike, këtë vit, Agjencia kundër Korrupsionit, ka pranuar një numër të konsiderueshëm të formularëve të deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës zyrtare  si dhe me rastin e përfundimit të detyrës zyrtareve”, thuhet tutje në njoftim.