Deklarimet ndër vite të Albin Kurtit për dialogun Kosovë-Serbi

U takuan për të tretën herë, por mbrëmë në Berlin ishte darka e parë e Albin Kurtit me Aleksandar Vuçiqin.

Kreu i partisë Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, prej kohësh ka kundërshtuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Para se të bëhej shef Qeverie, Kurti procesin e negociatave e kishte kundërshtuar me deklarime publike e aksione politike.

Ai, bashkë me shokë, prej më shumë se një dekade ishte kundër negociatave me Serbinë. Madje, slogani “Jo Negociata, Vetëvendosje!” mund të haset ende nëpër mure të ndryshme të qyteteve të Kosovës.

Por, si i shpjegonte Kurti negociatat në dhjetë vitet e fundit sa ishte opozitar?

“Negociatat janë mënyra më e mirë se si Serbia trimërohet për mbrojtjen e krimit të saj sepse negociatat janë saktësisht e kundërta e drejtësisë. Negociata ka pikërisht ngaqë nuk ka drejtësi, drejtësia është vulosje e zgjidhjes së kontestit nëpërmjet ndëshkimit të fajtorit dhe zhdëmtimit të viktimës kurse negociatat janë presupozimi i pamundësisë së ekzistencës së fajtorit si të tillë”, thoshte Albin Kurti në maj të vitit 2012.

Kritika, Kurti jepte edhe në vitin 2013 për mënyrën se si zhvillohej dialogu.

“Porsa u pat vendos korniza e dialogut Kosovë-Serbi, vetëm për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa kushte për Serbinë, Daçiqi kërkoi kompromis, ndërkohë dihet që nuk e ka ndërmend ta njoh pavarësinë e Kosovës. Kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkon edhe Bashkimi Evropian, kjo kërkesë do të thotë që në këtë kontest e këtë kontekst s’ka të pafajshëm, andaj është absurde që Serbia të kërkojë falje njëanshëm e rrjedhimisht nuk do të na paguajë as dëmet e luftës”, deklaronte ai.

Kurti besonte se dialogun nuk e do as populli ndërsa kërkonte që në tavolinë të bisedimeve të ishte edhe Shqipëria.

“Organizoni referendum në Kosovë, urdhëroni, pyeteni popullin, a jeni për negociata me Serbinë? Ju tregon populli. Thoni dialogu shqiptaro-serb për me i ndreq marrëdhëniet dhe armiqësitë e vjetra, unë mendoj që kryeministri Thaçi nuk ka të drejtë të flasë në emër të shqiptarëve, nëse është çështja shqiptaro-serbe, prapë duhet me thirrë Tiranën”, deklaronte ai.

Marrëveshjen për fusnotë, Albin Kurti sa ishte në opozitë e quante “tradhti shtetërore”. Por në fund të vitit të kaluar, radha që të fotografohej para fusnotës i kishte ardhur edhe Kurtit si kryeministër

“Marrëveshja në Bruksel me Serbinë për pikat kufitare që u degraduan në pika kaluese dhe për fusnotën, që realisht na kthen te negociatat e Vjenës të vitit 2006, paraqesin tradhti ndaj shtetit të Kosovës që e keni shpallur të pavarur mu në këtë sallë para më shumë se katër viteve”, thoshte ai.

Për të shikuar videon klikoni KËTU.

 

www.kallxo.com