Sali Bashota, kryesues i Bordit të RTK-së. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Deklarimet kundërthënëse të Bashotës për punësimin e dhëndrit të tij në RTK - VIDEO

Kryetari i Bordit të Radio Televizonit Publik të Kosovës, Sali Bashota  ka dhënë deklarata kundërthënëse sa i përket punësimit të dhëndrit, Liridon Konushefcit në cilësinë e mirëmbajtësit – shtëpiakut në një kohëzgjatje prej 5 muajve, prej 1 gushtit 2020 – deri më 31 dhjetor 2020.

KALLXO.com kishte zbuluar se Liridon Konushfeci dhëndri i Bashotës ishte punësuar me kontratë mbi vepër në cilën e mirëmbajtësit-shtëpiakut në RTK.

Fillimisht për këtë, kryetari i Bordit të RTK-së nuk  ishte përgjigjur në pyetet dhe e-mailat e KALLXO.com

KALLXO.com kishte tentuar, gjashtë herë përmes telefonit, mesazhit dhe emaileve të përsëritura disa herë në adresë të tij, por Bashota nuk është përgjigjur në lidhje me punësimin e dhëndrit të tij në RTK.

Bashota në mbledhjen e 21 prillit të Komisionit për Buxhet,Punë dhe Transfere kishte pranuar punësimin e dhëndrit të tij duke thënë se kontrata e tij kishte qenë 3-4 muaj.

“Lidhur me punësimin e dhëndrit tim në RTK qe ku janë mediat dhe deputetët, shkoni në RTK shikoni a punon dhëndri im në RTK, jap përgjegjësi publike. Nuk punon në RTK ka punu po nuk punon , ka qenë në një linjë 3-4 muj, kontratë 3-4 mujore, ka punu nuk punon edhe prej se jam bërë kryetar Bordi kam thënë që ai nuk do të punojë dhe asnjë familjar i imi”, kishte thënë Bashota më 21 prill.

Por, Sali Bashota në  mbledhjen e 28 prillit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere e kishte verifikuar “më mirë” kontratën e dhëndrit të tij.

Bashota gjatë mbledhjes tha se tani e ka verifikuar se kontrata e dhëndrit të tij kishte qenë 5 muaj.

“Unë nuk kam bërë kontratë me dhëndrin tim, nuk kam bërë kontratë po të kisha bërë, unë se kam bërë. Kam menduar që, a beson që kam menduar që katër muaj ka qenë ai kishte qenë pesë mandej kam hy e kam verifikuar nuk kanë qenë të plotë pesë muaj  kontratë,  ka qenë me COVID nuk kanë qenë të plotë  pesë muaj  edhe faktikisht nuk e ka vazhduar më kontratën nuk jam marrë”, tha ai.
Bashota shtoi se ai nuk e ka bërë kontratën e dhëndrit të tij por që ai kishte shkuar në lidhje të tjera.

“Po ta kisha bërë unë isha marrë edhe ka shkuar në një lidhje tjetër jo që unë kam ndërhy po as nuk jam marrë me atë punë”, tha Bashota.

Ndaj kësaj, deputeti i LVV-së Eman Rrahmani pyeti dy herë Sali Bashotën se për çfarë lidhje bëhet fjalë por që i njëjti nuk u përgjigjur.

“Ajo çfarë mu më intereson ju pohuat që është punësuar përmes disa lidhjeve të tjera edhe pyetja konkrete në lidhje me këtë  është se kush janë ato lidhje tjera që ju vet e potencial”, tha Rrahmani.

KALLXO.com në mars të këtij viti kishte raportuar për punësimin e Liridon Konushefcit, dhëndrit të kryetarit të bordit të RTK-së, Sali Bashota.

Dhëndri i kryetarit të Bordit punësohet në RTK