Deklaratë e Përbashkët nga Hoti e Vuçiq para takimit në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë dhënë një Deklaratë të Përbashkët para takimit në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nga të dyja vendet.

Kryeministri Hoti dhe Presidenti Vuçiq i kanë konfirmuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, se ata i bashkangjiten përparësisë së lartë për integrimin e BE-së dhe për të vazhduar punën në dialogun Beograd – Prishtinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili është një element kryesor për rrugët e tyre të përbashkëta në BE.

Ata gjithashtu u zotuan të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rrestimin e mëtejshëm të BE-së në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse.

“Në këtë drejtim, dokumentet e nënshkruara së fundmi në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme lidhur me dialogun, mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Pas takimit të të dyja palëve në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u nënshkrua edhe marrëveshja ekonomike në prezencë të presidentit amerikan Trump, Kosova dhe Serbia do ta vazhdojnë dialogun sot (e hëne) në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.