Takimi Thaçi - Kurti më 6 janar 2020. Foto: KALLXO.com

Deklaratat e ndryshme të Thaçit për 'afatin 48-orësh' dhënë Kurtit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit më kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, nuk është deklaruar për media.

Por, pak minuta pas takimit të shkurtër me Kurtin, Thaçi ka bërë publik një status në Facebook, në të cilin ka njoftuar se i ka dhënë 48 orë afat LVV-së që ta bëjë propozimin për kryeministër.

“Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi.

 

Në lidhje me afatin 48 orësh të Thaçit, ka reaguar Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, i cili po ashtu ka qenë i pranishëm në këtë takim.

Ahmeti ka thënë se në takim nuk është përmendur ndonjë afat kohor.

“Mund të them që në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve. Ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Mirëpo në një postim tjetër në Twitter, pas reagimit të zyrtarit të LVV-së, presidenti Thaçi ka thënë që ‘shpreson’ që Kurti do të propozojë një kandidat brenda 48 orëve.

“Shpresoj që zoti Kurti brenda 48 orëve të jetë në gjendje të propozojë një kandidat për kryeministër, pasi njerëzit, parlamenti, aleatët tanë presin që ai ta bëjë këtë. Ai mund të kërkojë vonesa tjera por kjo do ta zhgënjente shumë popullin e Kosovës dhe do të rrezikonte një krizë të panevojshme kushtetuese”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Sot presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti janë takuar për herë të parë në një takim konsultativ pak minutësh për caktimin e mandatarit të qeverisë.

Fotografia e parë Hashim Thaçi – Albin Kurti