Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi dhe ish-drejtori i Inspeksionit në Podujevë, Besnik Mulliqi | Foto: Facebook/Besnik Mulliqi

Deklaratat e ish-drejtorit në Podujevë për ‘ndërtimet pa leje’, prokuroria po e trajton rastin

Prokuroria e Prishtinës ka filluar shqyrtimin e pretendimeve të ish-drejtorit të inspekcionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, i cili ka deklaruar se kryetari Shpejtim Bulliqi ka tentuar të e pengojë në kryerjen e punës së tij.

“Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar”, kishte shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook, kur kishte njoftuar se ishte shkarkuar nga detyra.

Për pretendimet e ish-drejtorit Mulliqi, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të merret me rastin.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se, Prokuroria është duke i shqyrtuar te gjitha pretendimet e dhëna ne opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do te veproje konform dispozitave ligjore në fuqi” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar dje për shkarkimin e drejtorit të Inspekcionit në Podujevë.

Komuna e Podujevës ka reaguar në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Inspekcionit, Besnik Mulliqi, nga kjo pozitë.

Në një komunikatë për media, Komuna ka deklaruar se njëra ndër arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës që, siç është thënë në njoftim, “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës”.

Shkarkohet drejtori i Inspekcionit në Podujevë