Deklarata kundërthënëse të Hotit e Zemajt për hapësirat në spitale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë dhënë deklarata publike kontradiktore sa i përket menaxhimit të gjendjes me pandeminë dhe hapësirat nëpër spitale për trajtimin e pacientëve.

Kryeministri Hoti dy ditë më parë alarmoi për mungesën e hapësirave nëpër spitale, përderisa ministri Zermaj së fundi ka thënë se ka keqinformim sa i përket menaxhimit të klinikave dhe mbipopullimit të tyre.

Kreu i qeverisë, Avdullah Hoti të hënën deklaroi se në Klinikën Infektive të QKUK-së nuk ka më vende për pacientë dhe se institucionet shëndetësore janë janë duke krijuar hapësira shtesë.

“Më lejoni të ju them shumë qartë dhe drejtë para juve dhe para gjithë qytetarëve, nuk mund të lejojmë që gjendja të dalë jashtë kontrollit. Jeta e qytetarëve është mbi të gjitha, është prioriteti jonë i parë. Kemi 49 raste me fatalitet, Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka vende më për njerëz në Klinikën Infektive. Ministri i Shëndetësisë ,drejtori i IKShPK-së, drejtori i QKUK-së, janë duke krijuar hapësira shtesë nëpër klinika të tjera edhe në spitale regjionale”, tha Hoti në konferencën për media.

Kurse, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj gjatë inspektimit të situatës nëpër disa lokale në Prishtinë, të martën në mbrëmje tha se keqinformimi për këtë cështje po bëhet nga persona që duan të interpretojnë në atë formë situatën.

“S’është e vërtetë që Klinika Infektive s’ka as vende, s’është e vërtetë që QKUK është para kollapsit. Këto janë gënjeshtra, janë manipulime të dashakeqëve. Kemi vende të mjaftueshme por dhashtë Zoti të mos kemi nevojë për vende. Kemi shtretër, kemi respiratorë, kemi staf të përgatitur profesional të cilët janë duke bërë punën maksimalisht, 24 orë, kuptohet me përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë së Kosovës dhe të gjithëve”, tha Zemaj të martën në mbrëmje.

“Rastet janë rritur nga lirimet të cilat kanë ndodhur që nga fillimi i këtij muaji [qershor]. Ne jemi duke tentuar ta menaxhojmë situatën. Realisht është nën kontrollë të plotë. Ka pak keqinformim sa i përket menaxhimit të klinikave dhe mbi popullimit, fatkeqsisht nga ata të cilët dëshirojnë të interpretojnë në atë formë”, shtoi ai.

Zemaj u shpreh i bindur se me përgjegjësi po e kryen detyrën e ministrit në situatën me pandeminë.

“Pavarësisht akuzave, unë jam i bindur dhe me përgjegjësi jam duke e kryer detyrën, qoftë edhe përtej mundësive reale të një individi ose të një structure dhe gjithë kapacitetet që i ka Ministria e Shëndetësisë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Hoti ka paralajmëruar se nëse nuk respektohen masat mund të ketë rikthim të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Numri i rasteve në Kosovë me COVID-19 ka shënuar rritje.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë infektuar 2,878 persona, janë shëruar 1,577 dhe kanë vdekur 51 pacientë.