Arkiv - Ngadhnjim Kastrati - Ish Drejtor Gjeneral i RTK-së

Deklarata kundërthënëse e Ngadhnjim Kastratit se ditën e shkarkimit nuk ishte në punë

Ish drejtori gjeneral  i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati më 19 janar, ditën kur ishte shkarkuar nga kjo pozitë kishte deklaruar se është në vetizolim për shkak të COVID-19.

“Njoftimin për shkarkim e mora në shtëpi, ku jam prej disa ditësh në izolim si rezultat i infektimit me Covid. Përveç tjerash unë as nuk jam njoftuar për ndonjë procedurë të shkarkimit dhe as nuk ka pasur në rend të ditës pikë për shkarkimin tim”, kishte shkruar më 19 janar Kastrati.

Por sipas ushtruesit të detyrës të drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, Ngadhnjim Kastrati ishte kthyer në punë më 19 janar.

“Ju rikujtoj se pozitën e UD të Drejtorit Gjeneral e kam pranuar nga z.Kastrati me datë 20 Janar 2022. Nga informacionet zyrtare që kam, z. Kastrati ka qenë në izolim për shkak të infektimit me Covid-19, ndërkaq më datë 19 janar është kthyer në punë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Fadil Hoxha kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së ka thënë se edhe ai ka pranuar informacione se Kastrati ka qenë në vendin e punës më datë 19 janar.

“Kjo mund të konfirmohet edhe përmes kamerave të sigurisë në RTK”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish drejtorin gjeneral të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati por që i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet.

Sipas rregullave, personi i cili rezulton pozitiv me COVID-19 duhet të vetizolohet për së paku 10 ditë.

Ngadhnjim Kastrati ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së më 19 janar nga bordi i televizionit publik.

arsyetimin e shkarkimit thuhet se Kastrati ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive dhe se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.

Sipas këtij vendimi, Kastrati thuhet se për tre vite gjatë mandatit të tij ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionim siç duhet të RTK-së.