Astrit Dehari | Foto: LVV

Deklarata e Naser Makollit: Ditën e vdekjes Astrit Dehari parashikoi të bënte një telefonatë

Ekspertiza e bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për vdekjen e Astrit Deharit, ka zbardhur disa detaje të cilat tash e tri vite ishin të panjohura për publikun.

Deklarata të dëshmitarëve, të ish- cimerëve të Astrit Deharit në qeli në Qendër të Paraburgimit në Prizren, dosjet e Mjekësisë Ligjore, policisë, forenzikës, qendrës së paraburgimit, hetimet policor janë përfshirë në një dosje prej 45 faqesh të ekspertizës së institutit zviceran.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me ndryshimin e deklaratave të ish- cimerit të Astrit Deharit, Naser Makollit, me të cilin kishin qëndruar në të njëjtën qeli për dy muaj.

Brenda rrethojave të burgut e edhe brenda qelisë ku të burgosurit ose të paraburgosurit vuajnë dënimet e tyre, nuk lejohen që të futen brisqe, telefona, armë, mjete të ftohta, gjëra që mund të përdoren për lëndime dhe narkotikë.

Në deklaratat e ish- cimerit të Astrit Deharit, i cili vdiq gjashtë muaj pas Astrit Deharit, Naser Makolli në dy intervista të dhëna pas vdekjes së Deharit, ka përmendur se kanë pasur një telefon brenda qelisë e të cilin Astriti kishte parashikuar ta përdorte ditën që ishte gjetur i vdekur.

“Dy javë më herët Astrit Dehari, i kishte kërkuar atij[Naser Makollit] tw regjistronte numrin e të afërmve të tij (të Astrit Deharit) duke kërkuar që t’i telefononte nëse ndodh diçka”, thuhet në raport.

“…Pas dushit ata sërish janë kthyer në qelitë e tyre për t’u ndërruar dhe pas një ore më vonë, rreth orës 14, gardiani ka ardhur dhe e ka hapur derën e qelisë në mënyrë që të dalim ne shëtitje. Në momentin e daljes njëri nga të mbajturit e ka pyetur Astrit Deharin se a do të vijë dhe ky i fundit iu ka përgjigjur se nuk dëshironte të dalë me ta sepse kishte dhimbje koke nuk ndjehej mirë dhe në mes të tjerash parashikonte të bënte një telefonatë”, kishte treguar Naser Makolli në deklaratën e tij para organeve të rendit më 18 nëntor të vitit 2016.

Në dhjetor më saktësisht në datën 2 dhjetor të po të njëjtit vit, Naser Makolli kishte deklaruar se Astrit Dehari asnjëherë nuk e kishte përdorur telefonin i cili mbahej jashtëligjshëm në qelinë e të paraburgosurve aty edhe ku gjendej edhe Astrit Dehari.

“Në momentin e dëgjimit Naser Makolli deklaron se në qelinë e tij, ai kishte fshehur një telefon që e përdorte edhe vet edhe Adonis Gashi (i paraburgosuri i tretë në qeli me Astrit Deharin), por Astrit Dehari kurr nuk e kishte përdorur atë telefon”, ishte deklarimi i Makollit më 2 dhjetor në 2016.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Shtetit kishte pranuar ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Kjo ekspertizë ishte përkthyer e më pas i ishte dërguar prindërve dhe avokatit të familjes Dehari.

Pas pranimit të kësaj ekspertize, avokati Tomë Gashi me kërkesë të prindërve të Astrit Deharit kishin bërë publike ekspertizën në të cilën u zbardhën shumë gjëra të cilat kishin qenë mister që prej tre vitesh.

Kthehet Nga Austria Ekspertiza e Videos në Rastin ‘Dehari’

Kthehet Nga Austria Ekspertiza e Videos në Rastin ‘Dehari’

Deklarata e Naser Makollit: Astrit Dehari asnjëherë s’e ka përmendur se mund t’i bëjë diçka vetes