Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë tregon kush po e kërcënon procesin e avancimit të kirurgëve

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Suzana Manxhuka- Kërliu, në emisionin “KALLXO Pernime”, ka deklaruar se që 13 vite nuk është avancuar asnjë asistent në pozitën profesor asistent në Fakultetin e Kirurgjisë.

Sipas dekanes, janë në proces të konkursit për staf të rregullt, ku kanë konkuruar 14 persona.

“Jemi në proces të konkursit për staf të rregullt, përderisa të gjitha komisionet recensues janë në proces që të dalin në buletin. Konkursi është për pesë persona që të avancohen nga pozita asistentë në profesor asistentë që pas 13 vitesh të kemi të një profesor asistent në Kirurgji. Në konkurs kanë konkurruar 14 persona. 2 profesorë ligjërojnë, njëri është Arsim Morina i cili pensionohet në shtator, dhe Nexhmi Hyseni i cili është pensionuar në fillim të këtij semestri. Por meqenëse i vazhdohet kontrata kur i bije në mes të vitit akademik, deri më 30 shtator ai është ende aktiv”, tha ajo.

Dekania ka thënë se pas vendimit që të ndëshkohen në pagë profesorët dhe asistentë që nuk kanë mbajtur ligjëratat ka pasur “kërcënime” për ta stopuar avancimin e kirurgëve.

“Ai është obligim i punës, sipas rregullores, nëse nuk e kryen, si në këtë rast të shkruaj recension, të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve, atëherë Këshilli e dërgon në këshillin etik për t’i dënuar, në këtë rast ekziston procedura e përcaktuar me rregullore. Fillimisht katedra propozon një komision recensues dhe e kanë propozuar në të cilën profesor Nexhmi Hyseni e kanë larguar e kanë caktuar një tjetër që është pensionuar më herët. Pastaj propozimet vijnë në këshill, këshilli i Fakultetit e zëvendëson njërin me profesor Nexhmiun. Rrjedhimisht Arsim Morina kryetar, Nexhmi Hyseni anëtar dhe Hysni Arifi kryetar”, ka thënë ajo.

“Në ndërkohë profesor Arsimi shkruan email se “kërkon të shfuqizohen çdo ndalesë, të kthehen të gjitha kompensimet materiale duke kërkuar falje gjithsesi. Në të kundërtën me shumë keqardhje, tërhiqem nga çdo bashkëpunim plotësues përfshirë recensionet e avancimet akademike”, ka cituar Manxhuka – Kërliu.

KALLXO.com ka raportuar më 13 maj se disa profesorë dhe asistentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk i kanë mbajtur të gjitha ligjëratat të cilat kanë qenë online gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2020/2021.

Sipas disa të dhënave të siguruar nga KALLXO.com, njëri nga ta është profesori në Katedrën e Kirurgjisë, Arsim Morina, i cili ka mbajtur vetëm 15 orë prej 85 sa e obligon kontrata e tij në semestrin dimëror të vitit akademik 2020/2021.

Në këto të dhëna theksohet se Morina ka mbajtur vetëm 15 orë në muajin nëntor të vitit 2020, ndërsa nuk ka mbajtur asnjë orë në muajin tetor 2020, dhjetor 2020 si dhe muajin janar të këtij viti.

KALLXO.com ka kontaktuar profesorin Arsim Morina, i cili nuk e ka pranuar një gjë të tillë, pasi sipas tij, ai nuk do t’i mbajë orët e lëndëve të Kirurgjisë, pasi është neurokirurg.

“Unë po ju tregoj meqenëse ka qenë numri i vogël i orëve nga neurokirurgjia. Unë nuk mund të mbaj ligjërata nga kirurgjia, kur jam neurokirurg, sepse nuk më kompensohen dhe hala s’jam pensionu ligjërisht”, tha Morina për KALLXO.com.

Ai nuk pranoi se nuk ka mbajtur orët e planifikuara, duke shtuar se ka mbajtur orë më shumë.

“Unë vetëm muajin e kaluar i kam pasur 120 orë, vetëm për një muaj, kurse profesori i ka obligative 80 e diçka orë dhe jo që unë kam ma pak, po kam më shumë dhe asnjëherë s’jam kompensu materialisht”, shtoi Morina.