Syzana Manxhuka, dekane e re e Fakultetit të Mjekësisë

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë sqarohet rreth akuzave të Asistentit

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu i është përgjigjur disa pretendimeve të asistentit të këtij fakultetit, Fisnik Kurshumliu.

Ky i fundit kishte reaguar për një deklarim të dekanes në Senatin e UP-së, ku po diskutohej për angazhimin e asistentëve në këtë fakultet.

Diskutimi po bëhej për kandidaten me notë mesatare 10-she, Shqidona Lahu që nuk u pranua si Asistente.

Kurshumliu kishte thënë se deklaratat e dekanes se nota mesatare në Fakultetin e Mjekësisë nuk është reale,  rezulton se në Fakultetin e Mjekësisë aplikohen standarde të dyfishta të notimit, me bekimin e Dekanes.

Manxhuka-Kërliu ka thënë për KALLXO.com se në senatin e UP-së ka sqaruar procedurën e zgjedhjes së stafit të angazhuar dhe të rregullt në këtë fakultet.

Ajo po ashtu ka thënë se i respekton vendimet  e komisioneve recencuese, për të cilat Kurshmuliu e kishte thënë të kundërtën.

“Në mbledhjen e Senatit unë kam përshkruar procedurën e zgjedhjes së stafit të angazhuar dhe të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.  Komisionet recenzuese bëjnë vlerësimin e kandidatëve të paraqitur, duke i prezantuar në raportet e tyre të dorëzuara në Dekanat të FM-së.  Pastaj Komisioni për Kuadro dhe Shkence i FM-së, i cili vepron që nga themelimi i FM-së si komision ndihmës i Këshillit te Fakultetit (i zgjedhur nga Këshilli i Fakultetit), i cili verifikon nëse komisionet recensuese kanë respektuar Statutin e UP-se dhe Rregulloret në fuqi si akte ligjore ne UP.   Pastaj, ky komision i prezanton në Këshill te Fakultetit këto informacione”, ka thënë Dekanja.

Tutje ajo ka sqaruar edhe procedurat e tjera që janë bërë për përzgjedhjen e asistentëve.

“Në rastet kur komisionet recensuese kanë respektuar këto akte ligjore, Këshilli respekton përzgjedhjen e tyre. Në të kundërtën kur komisionet recensuese nuk respektojnë aktet ligjore te përmendura atëherë Këshilli vendos për kandidatet tjerë, të cilët i plotësojnë kushtet sipas këtyre akteve ligjore. Madje edhe shqipton vërejtje (sipas rekomandimit te Inspektoratit te Arsimit) duke ndaluar profesorëve, te cilët nuk kane respektuar këto akte ligjore në konkursin e caktuar, që në konkursin e radhës të jenë pjese e komisioneve recensuese. Një gjë e tille ka ndodhur në disa raste, por me tutje profesorët pjese të komisioneve recensuese kujdesen të respektojnë statutin e UP-së dhe rregulloret për zgjedhjen e stafit akademik”, ka thënë Manxhuka-Kërliu.

Ajo ka reaguar edhe ndaj deklaratave të asistentit Kurshumliu, i cili kishte thënë se ka pasur refuzime të profesorëve të Kirurgjisë që të jenë anëtarë të komisioneve recencuese.

Manxhuka-Kërliu ka dhënë versionin e saj për këtë pretendim të tij.

“Sa i përket profesorëve pjesë të komisioneve recensuese për kirurgji, të cilët kanë dhënë dorëheqje, kjo ka ndodhur që në fillim të procesit. Meqë, të gjithë kandidatët i kanë plotësuar kushte (10 kandidate) ndërsa konkursi ka qenë për dy ata nuk kanë dashur të marrin përgjegjësinë të përcaktohen për 2 nga 10 kandidatë e që të gjithë kanë plotësuar kushtet formale”, ka thënë ajo.

“Për çështje e kirurgjisë organet hetimore kanë marre në pyetje të gjitha palët, të cilët kanë dhëne deklarata dhe kjo çështje është tek Prokurori i lëndës i cili është duke u marrë me ketë çështje. Prandaj, nuk dua të shtoj më shumë në mënyrë që të mos dëmtoj procesin”, ka shtuar ajo.

Ajo po ashtu ka hedhur poshtë deklarimin e Kurshumliu se ka pasur presion nga Dekanja për përpilimin e recensionit në angazhimin e lëndës së Onkologjisë, duke thënë se është shpifje dhe do ta padisë asistentin.

“Sa i përket lëndës se Onkologjisë nuk qëndron fakti së kam bërë presion dhe në asnjë komision tjetër të FM-se. Parashtrohet pyetja pse i njëjti profesor nuk ka bërë denoncimin menjëherë kur ka ndodhur sipas tij, pra, vite me herët, por ka pritur aq gjatë. Kjo është shpifje dhe për ketë do të ngris padi ndaj tij si Dekane e FM-së”, ka përfunduar Manxhuka-Kërliu.

Asistenti i Fakultetit të Mjekësisë i reagon Dekanes Manxhuka-Kërliu

www.kallxo.com